AKTUALITET, 21 Nëntor 2017, 14:17

Skandali i përgjimeve të Dakos me kriminelët, Paloka: Heshtja e Ramës tregon se po kërkon të kapë prokurorinë

Skandali i përgjimeve të Dakos me kriminelët, Paloka: Heshtja e

Partia Demokratike, përmes nënkryetarit të saj Edi Paloka, ka hedhur akuza të forta kundër kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tyre është duke heshtur për  përfshirjen e Dakos me trafikantët e drogës,  deri  sa të kap prokurorinë.

Paloka tha se Rama po mbron Dakon, në të njëjtën mënyrë si mbrojti edhe Saimir Tahirin, duke shtuar se e gjithë sa po ndodh lidhet vetëm me të.

"Në Durrës, politika dhe krimi janë bërë një, -tha Paloka. - Këtë model Edi Rama e ka ngritur kudo njësoj - në Durrës, Elbasan, Tiranë. Formula është “përdor krimin dhe paratë për të marrë zgjedhjet. Më pas, me pushtetin e fituar pasurohu për vete pasuro dhe krimin”.

Modeli dhe formula provohen nga përgjimi që disponon Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku Vangjush Dako është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tendera kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave.

Por Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk u japin asnjë shpjegim shqiptarëve. Qëllimi i tyre është të heshtin derisa të kapin plotësisht Prokurorinë.

Marrja nën kontroll  e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë e bën Vangjush Dakon të ndjehet i paprekshëm. Edi Rama po e trajton Kryetarin e Bashkisë së Durrësit njësoj si Saimir Tahirin. Po i jep mbrojtje politike nga drejtësia, sepse gjithçka dhe të gjithë lidhen me Edi Ramën.

Me Edi Ramën lidhet krimi nëpërmjet Saimir Tahirit, Qazim Sejdinit, Vangjush Dakos, Agron Xhafajt. Drejtësia do të jetë e pafuqishme ndaj tyre derisa në krye të qeverisë të jetë Edi Rama. Vetëm me largimin e Edi Ramës do të ketë garanci për luftën kundër krimit të organizuar."

 

TPZ.AL