AKTUALITET, 15 Janar 2018, 17:54

Shqiptarët nuk duan t'ia dinë më, divorcet kapin shifra alarmante

Shqiptarët nuk duan t'ia dinë më, divorcet kapin shifra

Shprehja "deri sa vdekja të na ndajë" me sa duket nuk vlen më për shqiptarët. Kjo pasi vitet e fundit është rritur frikshëm numri i divorceve në vend.

Sipas shifrave të përllogaritura nga INSTAT vetëm në vitin 2016 kishte 31 divorce në 100 martesa. Shqiptarët nuk e vuajnë më opinionin publik, ndërsa fenomeni i ndarjeve po përhapet me shpejtësi në shoqërinë tonë. Nëse para viteve 1990 rastet e divorceve ishin shumë të rralla, në këto 27 demokraci shoqëria po përballet me pasoja të rënda vetëm për shkak të divorceve.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitet 1990 kishte 9 divorce për 100 martesa, ndërsa në vitin 2016, ishin 24.7 divorce për 100 martesa, nivel rekord.

Numri më i ulët i divorceve në këto vite tranzicioni ka qenë në 1997-n, vit në të cilin trazirat pas skandalit të firmave piramidale nuk u kanë lënë kohë shqiptarëve të mendojnë për martesat e tyre. Sipas të dhënave në këtë vit pati vetëm 5.9 divorce në 100 martesa.

Ritmet e ndarjeve u përshpejtuan në periudhën 2014-2016, ku divorcet arritën përkatësisht 17.8, 21 dhe 24.7 për 100 martesa.

Por, gjithsesi, Shqipëria e ka treguesin e divorceve më të ulët se vendet e BE-së, por më të lartë se vendet e rajonit.

Të dhënat e fundit demografike tregojnë se numri i martesave për 1 000 persona ka rënë brenda BE-28 në dekadat e fundit, ndërsa numri i divorceve është rritur.

Sipas të dhënave të Eurostat, në BE, në vitin 2013 pati rreth 2.1 milionë martesa dhe 943 mijë divorce.

Këto shifra mund të shprehen si 4.1 martesa për çdo 1 000 persona dhe 1.9 shkurorëzime për çdo 1 000 persona.

Monitor shkruan se divorcet në Shqipëri kanë një kosto të konsiderueshme, jo vetëm për partnerët që kërkojnë zgjidhjen e martesës, por edhe për shtetin.

Sipas avokates Denisa Daka faktori kryesor për këtë, në shumicën e rasteve, është paaftësia ekonomike e bashkëshortëve që të paguajnë pensionin e caktuar për fëmijët dhe kjo bën që gratë, në këtë rast, t’i drejtohen shtetit për ndihmë. Një tjetër faktor që lidh drejtpërdrejt divorcin me ekonominë e shtetit është rritja e numrit të të papunëve. Në rastin konkret, pas divorcit, gruaja në shumicën e rasteve, duke u cilësuar e papunë, u drejtohet zyrave të shtetit për ndihmë.

[gallery ids="56462,56460"]