AKTUALITET, 15 Janar 2018, 14:17

Kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës, PD-LSI mbledhin firmat: Të largohet Marku

Kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës, PD-LSI mbledhin firmat:

Deputetët e PD dhe ato të LSI nga sa mësohet po mbledhin firma për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjin, në bazë të të cilit zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm.

Qëllimi është për t’i dhënë fund antikushtetueshmërisë së zgjedhjes së Kryeprokurorit.

Amendamenti kërkon 3/5 e votave në Kuvend dhe vetting për Kryeprokurorin e Përkohshëm derisa të ngrihet KLP.

Ja neni që kërkon të ndryshojë PD dhe LSI

Neni 1

Pika 13 e nenit 179 të Kushtetutës ndryshon si më poshtë vijon:

“13. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i përfundon koha e qëndrimit në detyrë të nesërmen e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm.

Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e caktuar për zgjedhjen brenda 10 ditëve nga propozimi, kandidati i rendit i pari, që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar sipas ligjit, konsiderohet i emëruar.

Kandidatët i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar dhe me përparësi ndaj të gjithë subjekteve të tjera të rivlerësimit.

Rregullat e detajuara për caktimin e prokurorit që do të ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm dhe afatet për realizimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe rivlerësimit kalimtar të tyre përcaktohen me ligj.”