TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Opozita do të ndërmarrë një nismë të përbashkët ligjore për ndryshimet ligjore për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spahiu, kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili dhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu kanë firmosur kërkesën drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Për këtë çështje, opozita do të krijojë një grup pune me dy deputetë, përkatësisht Oerd Bylykbashi nga PD dhe Nasip Naço nga LSI, si dhe ekspertët ligjorë, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe Gazmend Bardhi.
Sipas LSI, i gjithë grupi i saj mbështeti propozimin e grupit të përbashkët punës, i cili synon kthimin e kushtetueshmërisë kundër "shkatërrimit të reformës në drejtësi nga mazhoranca".
Sipas Petrit Vasilit, pa Vetting nuk mund të ketë prokuror të Përgjithshëm, i cili shton se ky është hap jetim për integrimin evropian të vendit.
"Ofrojmë vullnetin tonë që zgjidhja të jetë kushtetuese në mënyrë që kur të zhvillohet një proces i ri të zgjidhet një kryeprokuror i përkohshëm me integritet. Krijojmë premisat për një vetting të përshpejtuar dhe njëkohësisht i thuhet ndaj rrëmbimit të drejtësisë nga kryeministrit Rama, të cilin drejtësia e tremb për aferat e rënda të tij dhe ministrave të tij. Vullneti i opozitës është konstruktiv, mbrojtës i kushtetueshmërisë dhe ligjit. Basha dhe Kryemadhi janë të gatshëm të diskutojnë për nismën përkatëse në mënyrë që kthejmë sa më parë kushtetueshmërinë procesit të kompromentuar rëndë të zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm dhe njëkohësisht të anulojmë sa më parë këtë proces antikushtetues i cili u ndërmor me rrëmbim votash dhe për të shlyer këtë njollë të zezë të Kuvendit, kjo është një zgjidhje në të mirë të vendit", tha Vasili.
Deklaratat e Vasilit u bënë pas zhvillimit të mbledhjes së grupit parlamentar të LSI-së.
Më herët, PD kërkoi ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjit në bazë të të cilit zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm, ndërsa amendamenti ndërpret mandatin e Prokurorit të përkohshëm. Amendamenti mban firmën e deputetëve të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partive aleate, ndërsa thuhet se ka për qëllim dhënien fund antikushtetueshmërisë në të cilin sipas tyre ndodhet ky institucion.