TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Me 7.45 milionë banorë rajoni i Katalonjës përbën 16% të popullsisë spanjolle. Ekonomia e këtij rajoni vlerësohet edhe 215.6 miliardë euro, e cila është më shumë se shumica e vendeve të Eurozonës, duke përfaqësuar më shumë se 20 për qind të GDP-së së Spanjës, ndërsa eksporti katalonjas me vlerë 62.5 miliardë euro përfaqëson më shumë se 25% të totalit të eksporteve në gjithë Spanjën.
Me rreth 37 miliardë euro investime në Katalonjë kjo përbën më shumë se një të katërtën e të gjitha investimeve në Spanjë.
Katalonja gjithashtu ka një shkallë më të ulët të papunësisë, si dhe një pabarazi më të vogël ekonomike në mesin e popullatës sesa pjesa tjetër e vendit. Me 13,2% shkalla e papunësisë është shumë më e ulët se mesatarja e vendit, e cila është 17,2%.
GDP-ja për frymë në Katalonjë nuk është më e larta në vend, por është më e lartë se mesatarja kombëtare dhe në sondazhet e fundit është konstatuar se katalonjasit jetojnë më mirë se pjesa tjetër e vendit, transmeton.
Madridi zyrtar do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të parandaluar shkëputjen e Katalonjës, për arsyen e thjeshtë se një lëvizje e tillë do të përfaqësonte një goditje katastrofike për ekonominë spanjolle.
Katalonjasit që përkrahin shkëputjen besojnë se rajoni do të arrinte një tepricë të madhe buxhetore nëse ndalon t’i paguajë shuma të mëdha parash qeverisë federale të Spanjës.
Megjithatë për katalonjasit lajmet e këqija vijnë nga Brukseli, që thotë se nuk e mbështet referendumin. Për më tepër, BE-ja theksoi se edhe në rast të shkëputjes Katalonja do të mbetet jashtë Bashkimit Evropian.
Ky është një problem për katalonjasit duke pasur parasysh se gati 100 për qind e atyre që përkrahin shkëputjen e duan atë vetëm në qoftë se një Katalonjë e pavarur mbetet anëtare e BE-së, sepse kjo do të thotë se rajoni vazhdon t’i gëzojë privilegjet e tregtisë së lirë në kuadër të BE-së.
Megjithatë pas njoftimit nga Brukseli u bë e qartë se Katalonja do t’i gëzonte ato privilegje vetëm si pjesë e Spanjës. Përndryshe, çmimet e eksporteve të mallrave nga Katalonja në BE, kryesisht fruta dhe perime, do të rriteshin ndjeshëm.
“Katalonja kështu do t’i bashkohej një grupi shumë të vogël të vendeve që nuk janë anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë, që do të thotë se do të përballej me vështirësi të mëdha”, tha për gazetën spanjolle “El Pais” Stephen Braun, një analist në “Capital Economics”.
Eksportet jofitimprurëse do të çonin në shkurtime të vendeve të punës dhe në një rënie të GDP-së së paku për 30 për qind. Për më tepër, rajoni mbi supet e saj do të merrte një të pestën e totalit të borxhit të Spanjës, e cila është një bilion euro, që do të thotë se katalonjasit duhet të paguajnë 200 miliardë euro.
Mbreti spanjoll: Sovraniteti kombëtar në rrezik!
Mbreti spanjoll, Felipe VI, i është drejtuar kombit pas referendumit mbi pavarësinë e mbajtur në Katalonjë dhe tha se gjendja aktuale atje është “shumë serioze”.
“Ne po kalojmë momente shumë të vështira për demokracinë tonë dhe në këto rrethana unë dua t’u drejtohem spanjollëve. Ne kemi parë të gjitha veprimet e qeverisë së Katalonjës për shpalljen e paligjshme të pavarësisë”, tha mbreti në një fjalim televiziv duke iu drejtuar kombit. Ai vuri në dukje se autoritetet katalonjase po shkelin ligjet e shtetit.
“Me vendimet e tyre ata i shkelën sistematikisht rregullat, duke demonstruar mungesën e papranueshme të besnikërisë ndaj shtetit dhe të atyre që përfaqësojnë në Katalonjë. Ata kanë thyer harmoninë dhe bashkëjetesën e shoqërisë katalonjase”, shtoi mbreti.
Mbreti Felipe tha se politika e autoriteteve katalonjase mund të rrezikonte stabilitetin social dhe ekonomik të rajonit.
“Me sjelljen e tyre të papërgjegjshme ata mund të rrezikojnë stabilitetin ekonomik dhe social të Katalonjës dhe të gjithë Spanjës”, tha mbreti spanjoll.
Ai theksoi se autoritetet katalonjase u përpoqën të thyenin unitetin e Spanjës dhe sovranitetin kombëtar. Mbreti vuri në dukje se banorët e Katalonjës mund të llogarisin në mbështetjen e gjithë Spanjës.
Pavarësia, çështje ditësh
Pak pas fjalimit të Mbretit Felipe VI, udhëheqësi i Katalonjës pohoi për BBC-në se pavarësia e rajonit autonom është çështje ditësh.
Në intervistën e tij të parë që prej referendumit të së dielës, Carles Puigdemont pohoi se kabineti i tij do të veprojë nga fundi i kësaj jave ose nga fillimi i tjetrës.
I pyetur se çfarë do të bëjë nëse qeveria qendrore ndërhyn dhe merr nën kontroll ekzekutivin katalonjas, ai dha këtë përgjigje: “Ky ka për të qenë një gabim që do të ndryshojë gjithçka. Aktualisht nuk ka asnjë kontakt mes Madridit zyrtar dhe administratës katalonjase”, tha Carles Puigdemont, president i Katalonjës.
Puigdemont shtoi gjithashtu se nuk është aspak dakord me qëndrimin e BE-së, e cila tha të hënën se ajo çfarë po ndodh me Katalonjën është çështje e brendshme e Spanjës.
Plot 90% e votuesve që morën pjesë në referendumin e së dielës i thanë “Po” mëvetësisë, megjithatë ekziston mundësia që Madridi t’ia heqë Katalonjës autonominë.