AKTUALITET, 21 October 2026, 14:17

Kontingjenti i parë shqiptar i helikopterëve niset në misionin e NATO-s, KFOR në Kosovë, Nufi: Angazhimi ynë mbetet i palëkundur!

Kontingjenti i parë shqiptar i helikopterëve niset në misionin e

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka përcjellë kontingjentin e parë shqiptar të helikopterëve që do t’i bashkohet misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë.

Në Bazën Ajrore të Farkës u zhvillua ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët do të shërbejnë në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”, duke shënuar një moment të rëndësishëm për Forcën Ajrore dhe zgjerimin e kontributit të Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare.

Gjatë ceremonisë, ministri Nufi e cilësoi këtë angazhim si dëshmi të profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe të përkushtimit të Shqipërisë ndaj detyrimeve të saj si aleate e NATO-s.

“Kontingjenti që përcjellim sot është pjesë e kësaj përpjekjeje. Ai dëshmon se Forca Ajrore po zgjeron rolin e saj dhe se Forcat tona të Armatosura po konsolidojnë kapacitetet për të përmbushur detyra gjithnjë e më të rëndësishme në kuadër të NATO-s”, u shpreh ministri.

Sipas tij, “Për Shqipërinë, ky mision ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për lidhjen vëllazërore dhe historike me Kosovën, por edhe sepse siguria dhe stabiliteti i Kosovës lidhen drejtpërdrejt me paqen dhe sigurinë e Shqipërisë dhe  gjithë rajonit tonë.”

“Në këtë kuadër, angazhimi ynë në KFOR mbetet i palëkundur! Dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar që të vijojmë të përmbushim përgjegjësitë tona me seriozitet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, në shërbim të sigurisë së përbashkët.” – u shpreh Ministri Nufi
Ai cilësoi ndër të tjera se kontributi i Shqipërisë për sigurinë ndërkombëtare nuk kufizohet vetëm në këtë mision, por ai është pjesë gjithashtu e operacioneve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Voci, komandantë dhe drejtues të Forcave të Armatosur, si dhe familjarë të efektivëve që nisen me mision!