AKTUALITET, 3 Nëntor 2017, 15:24

Rama përdor ndikimin rus për të kërcënuar Bashkimin Europian

Rama përdor ndikimin rus për të kërcënuar Bashkimin

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në edicionin e 10-të të Konferencës së Politikave Botërore të zhvilluar në Marok, kushtuar Qeverisjes Globale.  Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në panelin me temë “E ardhmja e Evropës Juglindore”, sëbashku me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq.

Duke folur mbi perspektivën e zgjerimit të BE me vende të reja aspirantë, kryeministri tha se vendet ndodhen në një moment tjetër historik, atë të kompletimit të procesit të nisur. “Gjendemi në një moment të ndryshëm historik, krahasuar me fazën e zgjerimit të shpejtë të fillimit. Tashmë përballemi me nevojën për të kompletuar procesin e nisur. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerim, por për përfundimin e këtij procesi. Mbi të gjitha, qëndron nevoja strategjike e Europës për të mos lënë Ballkanin si një zonë gri, ku aktorë të tjerë mund të fusin duart dhe të promovojnë axhendat e tyre, duke nxitur konflikte të mundshme.”-  deklaroi Rama, i cili la të kuptohet për ndikimin që ka Rusia në Ballkan.

Kryeministri theksoi ndër të tjera se është shumë e rëndësishme që vendet e Ballkanit të jenë pjesë e projekti europian, si një faktor më shumë për një Europë më të sigurt. “Është shumë e rëndësishme të përfundojmë këtë projekt, ekzaktësisht për të njëjtën arsye që anti-europianët theksojnë, ekzaktësisht për arsyen e sigurisë.” 

Kryeministri tha ndër të tjera se Ballkani i sotëm është pozicionuar qartë pro BE dhe se po punon fort për këtë perspektivë. “Ajo që po bëjmë sot në rajon nuk po ndodh sepse jemi të ndryshëm nga paraardhësit tanë që bënë luftëra. Kjo po ndodh sepse në këtë rajon ka një ndjenjë të fortë pro-europiane.  Ky rajon është vendi i duhur për të kuptuar se sa është tërheqëse Europa për njerëz që dinë se çfarë është lufta, që e kanë parë atë dhe e dinë se sa keq gjërat mund të shkojnë prej saj, ndaj ritheksoj edhe një herë faktin që edhe procesi i integrimit do të ndihmojë në zbutjen e këtyre pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve.

/TPZ.AL/