AKTUALITET, 27 Prill 2019, 13:54

Rama kërkon pushtet absolut: Zgjedhjet nuk shtyhen, do t’i marrim të gjitha Bashkitë

Rama kërkon pushtet absolut: Zgjedhjet nuk shtyhen, do t’i marrim


Kryeministri Edi Rama ka shprehur ambicien për një pushtet absolut sot në Elbasan, duke thënë se PS do të marrë të gjitha Bashkitë. Sipas tij, nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve, por ato do të realizohen në datën e paracaktuar, më 30 qershor.

“Kam dëgjuar edhe nga njerëzit tanë, që mendojnë se do gjendet një zgjidhje e do shtyhen zgjedhjet. Me 30 qershor këtu në Elbasan do bëhet një festë e madhe e të gjithë do t’i japin dorën Gledit, që të vazhdojë në atë rrugë, e të jeni të bindur se do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme edhe më shumë, nga çfarë është bërë.

Ajaxi mund të dali kampion Europe, po kampion këtu ka qenë e do të mbetet PS.

Ajaxi mund ta marrë kupën, e mund ta meritojë se luan bukur, ndërsa bashkitë e Shqipërisë do i marrë PS, më 30 qershor nga Kukësi në Skrapar, nga Durrësi në Korçë, e me radhë, PO! Të gjitha do i marrim, sepse kudo ne mund të bëjmë më shumë për njerëzit, e sidomos aty ku deri sot kanë qeverisur ata. Më tregoni një qytet që kanë qeverisur ata dhe është transformuar si Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora.

Merre makinën nisu rrugës ke edhe Prrenjasin edhe Librazhdin, zgjidh e merr. Ke edhe Cërrikun edhe Belshin. Është bërë Belshi, që nisen njerëzit nga Tirana për fundjavë në Belsh, kush e mendon këtë. Ishte gropa e thellë sa të binte Braçja është e sigurtë që nuk e gjente dot kush.

Kush mendonte do shkonte te liqeni i Belshit për kafe, liqeni nuk dukej, nga plehrat e ferrat. Dhe kështu në të gjithë Shqipërinë. Nuk e zgjodhëm ne këtë gjë, vendosën ata.” -u shpreh Rama.