AKTUALITET, 27 Prill 2019, 11:55

Edi Rama falenderon Sejdinin, zbulon pasardhësin e tij: Qazimi po e mbyll me nder


Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar në Elbasan kandidaturën e Gledian Llatjas për bashkinë e qytetit.

Ai ka falenderuar Qazim Sejdinin për punën e bërë, që sipas tij po e mbyll me nder këtë 12 vjeçar në krye të Elbasanit, dhe shtoi se puna e tij do të çohet para nga Llatja.

“Ka qëndruar 12 vjet në kryer të bashkisë. 6 vjet i ka pasur me Saliun, 6 vjet me mua. Nëse shikoni se sa mbështetje ka marrë në 6 vitet e para, me 6 vitet e dyta, shifra është 10 herë më e lartë në këto 6 vitet e dyta.

Qazimi po e mbyll me nder dhe me një gjurmë që do mbetet përgjithmonë në kujtesën për qytetin, ju kam thënë na jepni besimin se ne do bëjmë për Elbasanin për 4 vite sa nuk është bërë për 10 vite”, tha Rama.

Kujtojmë se Gledian Llatja prej disa muajsh është emëruar në postin e prefektit në Elbasan, dhe emri i tij për Bashkinë e qytetit ishte lakuar edhe më herët në media, dhe nga eksponentë të PS-së.

Gledian Llatja, kandidati i PS-së për Bashkinë e Elbasanit

Kreu i qeverisë edhe në vizitën që pati dje në Shkodër, njësoj si në Elbasan, konfirmoi se kandidati për bashkinë do të ishte Valdrin Pjetri, prefekt në qytet.