AKTUALITET, 5 Nëntor 2019, 15:41

Pse u qëllua makina e prokurorit Ndoj? Dyshimet, nga abuzimet me pronat në bregdet tek lidhja mes ‘Rrumit’ dhe Rrajës

Pse u qëllua makina e prokurorit Ndoj? Dyshimet, nga abuzimet me pronat

Ndërsa Redjan Rraja është vënë në pranga nga policia, si një ndër autorët e atentatit me tre të plagosur ndaj prokurorit Arjan Ndoji, ende zyrtarisht nuk dihet se cili ka qenë objektiv i të shtënave.

Një ndër pistat ku Krimet e Rënda kanë shtrirë hetimet është edhe konflikti i pronave në bregdet, ku përfitues ishte Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi përmes familjarëve.

Kujtojmë se një vit më parë, u vodh posta e prokurorisë në Durrës e cila sipas burimeve kishte të dhëna sensitive që lidheshin pikërisht me skandalin e pronave në bregdet. Dyshimet asokohe ranë sakaq mbi punonjësit, të cilët ishin në dijeni me saktësi të të gjitha lëvizjeve, ndërsa grabitja ndodhi pikërisht në kohën kur hetohej skandali i pronave në bregdet.

Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi i njohur me nofkën "Rrumi", rezulton të jetë vëllai i drejtorit të Postës në Durrës, Albert Muharremi.

Sakaq burimet thanë se një i afërm i Redjanit është përgjegjës i postës në Fushë Krujë, duke pasur si epror Albert Muharremin, vëllain e Pëllumb Muharremit (Rrumi) i mbetur i plagosur në atentat. Prokurorët po hetojnë lidhjen mes personazheve, interesat e tyre në cështjen e skandalit të pronave dhe aktiviteteve të tjera kriminale.