AKTUALITET, 5 Nëntor 2019, 13:12

Arrestimi i Rrajës, reagon Rama dhe sulmon sërish prokurorin Ndoja


Kryeministri Edi Rama ka reaguar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji.

Kujtojmë se ditën e sotme si autor i atentatit u arrestua nipi i deputetit socialist, Rrahman Raja, Redian Rrahja me profesionin stomatolog. Në maskën e përdorur gjatë krimit u gjetën gjurmë të ADN-së së Redianit, një provë e fortë për policinë.

Pak kohë më parë kryeministri Edi Rama akuzoi në seancë plenare, prokurorin Arjan Ndoji për lidhje me bandat dhe krimin e organizuar në Durrës. Por, Rama nuk i ka ndaluar akuzat ndaj prokurorit edhe pas atentatit ndaj tij.

Ai thotë se po merr masa speciale ndaj "KÇK-së", termi i shpikur prej tij për të etiketuar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Reagimi i Ramës:

“Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit?Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda, dhe masat speciale kundër KÇK-së? Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund ” shkruan Rama.