AKTUALITET, 26 Janar 2018, 11:36

Protesta e opozitës, zbulohet plani i masave të policisë për nesër

Protesta e opozitës, zbulohet plani i masave të policisë për

Opozita nesër do të zhvillojë protestën e parë për vitin 2018. Ndërkohë, policia ka marrë masa të forta sigurie. Pritet të aktivizohen rreth 1500 policë nga komisariatet e Tiranës, forcat Shqiponja dhe FNSH për të siguruar rendin dhe qetësinë. Pranë vendit ku do të mbahet protesta do stacionohen edhe ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës.

Drejtori i policisë së Tiranës, rreth një javë më parë me një udhëzim të veçantë u ka lënë detyrë komisariateve të evidentojnë personat e dhunshëm. Ata do të monitorohen gjatë protestës me agjentë civilë. Ndryshe nga protestat e mëparshme priten të aktivizohen më pak punonjëse policie femra.

Masa ka marrë edhe policia rrugore. Autobusët që do të vijnë me protestues nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga ana veriore do stacionohen pranë stadiumit “Asllan Rusi”, ndërsa nga ana jugore tek Fakulteti Ekonomik. Do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve tek bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe rrugët ndërlidhëse të tij. Kufizim të pjesshëm mund të ketë edhe rruga që lidh selinë e PD me kryeministrinë.

Është kërkuar informacion dhe nga drejtoritë e qarqeve për personat me precedentë penalë dhe janë marrë masat për sigurimin e institucioneve në Bulevard. Vëmendje të madhe do ketë edhe kontrolli fizik i personave të dyshimtë për armë apo sende të paligjshme në akset kryesore të Tiranës. PD ka marrë leje nga policia e Tiranës për një protestë 4 orëshe e cila nis në orën 12:00./TPZ.AL