AKTUALITET, 26 Janar 2018, 09:14

Zbulohet skandali, verifikim për kandidatin e KLP me pseudonim ‘Telefoni’

Zbulohet skandali, verifikim për kandidatin e KLP me pseudonim

 Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po riverifikon emrin e Kozma Janos, kandidatit të rrëzuar nga Parlamenti për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Me një shkresë drejtuar Kuvendit muaj më parë, Autoriteti vërtetoi pastërtinë e figurës për avokatin Kozam Jano, i cili kishte shprehur interes për të kandiduar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kur fati i goglave i buzëqeshi për të qenë ai një nga kandidatët e KLP-së, Partia Demokratike publikoi në media dokumente që vërtetonin bashkëpunimin e tij me Sigurimin e Shtetit gjatë sistemit komunist.

Në dokumentet e publikuara nga PD, avokati Kozma Jano rezultonte të kishte qenë bashkëpunëtor me Sigurimin dhe kishte mbajtur pseudonimin “telefoni”.

“Zëri i Amerikës” ka mësuar se Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur rivlerë- simin e dosjes së Janos, për shkak të disa fakteve të reja që janë zbuluar në të.

Burime të “Zërit të Amerikës” pranë Autoritetit për Informimin, shpjeguan se në kontrollin e parë nuk ishte gjetur asnjë gjurmë, për shkak se disa elementë të gjeneraliteteve ishin dhënë me gabime, shto këtu edhe faktin që marsin e kaluar, kur është bërë verifikimi Autoriteti, nuk kishte marrë ende në administrim të gjitha dosjet.

Nga rikontrollet e para, megjithatë, rezulton se kartela e publikuar nga Partia Demokratike nuk figuron në dokumentacionin në dispozicion të Autoritetit për Informim.