AKTUALITET, 23 Tetor 2017, 22:41

Policia e Vlorës "fsheh" Moisi Habilajn: Nuk dimë asgjë për të!

Policia e Vlorës "fsheh" Moisi Habilajn: Nuk dimë asgjë

Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vijim të hetimeve për trafikantit e drogës, i cili u arrestua në Itali, Moisi Habilaj, ka kërkuar të dhëna shtesë nga Komisariati i Policisë së Vlorës.

Edhe pse para pak ditëve, kreu i policisë së Vlorës, përmes një komunikimi për media dha detaje të reja për aksionin ku u sekuestruan 4.5 ton drogë dhe u arrestua bashkëpunëtori i Habilajve, blutë e qytetit bregdetar nuk kanë treguar asnjë shenjë bashkëpunimi me organin e akuzës.

Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thanë se pas kërkesës së tyre për të marrë të dhëna të reja për dosjen e Moisi Habilajt, janë habitur nga përgjigjia e Policisë së Vlorës.

Burimet citojnë se pas kërkesës, policia e Vlorës nuk ka dërguar asnjë informacion për shtetasin Moisi Habilaj, i cili dyshohet si kreu i bandës së drogës në Shqipëri dhe Itali, ku u përfshi në përgjime edhe ish-ministri Saimir Tahiri.

Kjo ka sjellë një tjetër përplasje mes organit të akuzës dhe policisë, duke nxjerrë në pah mungesën e bashkëpunimit mes dy institucioneve të drejtësisë.

Ajo që ngre më shumë dyshime, është fakti që policia nuk ka dhënë asnjë të dhënë për Moisi Habilajn, ndërkohë që ky i fundit është i njohur për drejtësinë e vendit dhe për policinë.

Në vitin 2005, Moisi Habilaj u hetua pasi gjurma e gishtit të tij u gjet mbi pakot me 53 kg kanabis, por ia hodhi drejtësisë me vetëm 10 muaj burg.

Edhe pse Moisi Habilaj, i cili po hetohet për trafikimin e 3.5 tonëve kanabis, nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, policia e Vlorës nuk i ka dorëzuar asnjë të dhënë Prokurorisë së Krimeve të Rënda./TPZ.AL/