AKTUALITET, 19 October 2026, 18:36

“Përgjegjësia penale nis nga mosha 14 vjeç”- Ministria e Brendshme paralajmëron të rinjtë në protesta: Largohuni nga dhuna!

“Përgjegjësia penale nis nga mosha 14 vjeç”-

Të miturit që përfshihen në veprime të dhunshme gjatë protestave mund të mbajnë përgjegjësi penale që në moshën 14 vjeç. Paralajmërimi vjen nga Ministria e Brendshme, e cila u është drejtuar të rinjve dhe prindërve të tyre, ndërsa protestat në Tiranë vijojnë të shoqërohen me akte dhune.

Në një deklaratë për mediat, zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, sqaroi se, sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç.

"Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese. Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë" tha ajo.

Zëvendësministrja deklaroi se situata është nën kontroll, pavarësisht akteve të dhunës të regjistruara deri në orët e pasdites, mes të cilave edhe sulmi ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Ruseti falënderoi prindërit dhe kujdestarët që iu përgjigjën thirrjes së Ministrisë së Brendshme për t'i shoqëruar fëmijët në shkollë, duke shmangur përfshirjen e tyre në protesta ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme.

Ajo theksoi se pjesëmarrja në një protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e të tjerëve, por nënvizoi se ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk përjashton përgjegjësinë individuale për akte dhune, dëmtimin e pronës, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese.

Në përfundim, zëvendësministrja u bëri thirrje të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve të largohen nga dhuna dhe të mos lejojnë që presioni i grupit apo thirrjet në rrjetet sociale t'i shtyjnë drejt veprimeve të rrezikshme.

"Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi" deklaroi ajo.