AKTUALITET, 19 October 2026, 16:00

Ambasada e Zvicrës: Shqetësim për dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private

Ambasada e Zvicrës: Shqetësim për dhunën dhe

Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka shprehur shqetësim për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private gjatë demonstratave në vend, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada e Zvicrës thekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për tubim paqësor, të cilën e konsideron një element thelbësor për funksionimin e një shoqërie demokratike. Njëkohësisht, ajo ngre shqetësimin për shkatërrimin e pronës publike dhe private gjatë demonstratave në Shqipëri.

“️Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.

Përveç thirrjes për qetësi dhe dialog, ambasada u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të garantojnë dhe të mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias.

Në reagimin e saj, Ambasada e Zvicrës thekson gjithashtu rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nga forcat e sigurisë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

“U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias; u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thekson Ambasada e Zvicrës në Shqipëri.