AKTUALITET, 19 October 2026, 16:44

“Lironi fëmijët tanë!”/ Tensione para Kryeministrisë, protestueset përplasen verbalisht me policinë: Do të shkoni në Strasburg për pengmarrje të të rinjve në rrugë!

“Lironi fëmijët tanë!”/ Tensione para

Tensione dhe debate verbale janë regjistruar para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku dy protestuese kanë kundërshtuar veprimet e policisë dhe arrestimet e të rinjve gjatë protestës.

Pas shpërndarjes së protestuesve nga rruga, forcat e FNSH-së kanë hapur kalimin përpara godinës së Kryeministrisë. Në këtë zonë janë afruar edhe disa qytetarë, të cilët i janë bashkuar debatit me efektivët e policisë.

Njëra prej protestueseve ka shprehur indinjatën e saj për arrestimet, duke deklaruar se frika nga shoqërimi i mundshëm i fëmijëve të saj nga policia gjatë protestave e ka detyruar të mos i dërgojë ata në shkollë.

"Lironi fëmijët tanë! Po i mbaj fëmijët në shtëpi, nuk i çoj në shkollë. Turp t'ju vijë!", u shpreh ajo e revoltuar.

Ndërkohë, avokatja Entela Koja ka paralajmëruar ndjekje ligjore ndaj efektivëve të policisë, duke bërë të ditur se çështja do të dërgohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

"Do të shkoni në Strasburg. Do të dënoheni për pengmarrjen e rinisë shqiptare", iu drejtua ajo policëve.