TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në 25 vite tranzicion, emërimet e Ministrave të Brendshëm, janë parë si pozicioni që po ngre pasardhësin e kryeministrit në detyrë. Shqipëria ka ndërruar 7 herë kryeministrin dhe 19 herë Ministrin e Brendshëm që prej marsit të 1992. Por, po t’i analizosh emrat e ministrave të Brendshëm, vihet re se asnjë prej tyre nuk ka arritur të ngjitet më lart, madje karierat e tyre kanë marë tatëpjetën ose kanë mbetur në stanjacion brenda partive të tyre. Duket si një vend pune i mallkuar...Por disa janë emërimet e bujshme pas të cilave mediat, analistët dhe opinioni publik ka pritur liderët e rinj që do zëvendësonin të vjetrit.
Neritan Ceka u emërua si Ministër i Brendshëm në vitin 1997 dhe lëshoi deklarata të forta në drejtim të bandave kriminale, duke thënë se fundi i tyre do të ishte i shpejtë. Më pas profesori u zëvendësua dhe tashmë në pension merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Petro Koçi zhvilloi disa operacione në terren si Ministër i Brendshëm, duke marë rolin e protagonistit por shumë shpejt u zëvendësua dhe tashmë pret daljen në pension si Zv. Ministër i Mbrojtjes.
Në vitin 2005 Sali Berisha emëroi në krye të Ministrisë së Brendshme, Sokol Olldashin, i cili shihej në atë kohë si kryetari i ardhshëm i PD-së. Ai i shpalli luftë klaneve kriminale dhe bëri disa arrestime dhe goditje bandash, si rasti i Aldo Bares, Lul Berishës dhe disa grupe të tjera kriminale. Por në kulmin e tij si ministër, Berisha e vuri përballë Edi Ramës për të garuar në Bashkinë e Tiranës. Humbja e kësaj gare, e spostoi “yllin” e tij në ngjitje drejt Lulzim Bashës. Karriera e tij, më pas ishte horizontale deri sa humbi jetën në nëntorin e vitit 2013 në një aksident rrugor.
Bujar Nishani u vendos në krye të ministrisë së Brendshme ndërsa Policia dhe dikasteri që drejtonte komandohej nga bashkpunëtor të Sali Berishës. Nishani u soll si ushtar i Berishës kur ishte ministër dhe më pas si i tillë edhe kur u bë President i Republikës.
Lulzim Basha u emërua për pak kohë si Ministër i Brendshëm dhe është i vetmi deri më tani që u bë lider i njërës prej dy partive politike, por që mbetet ende në provë dhe shumë larg mundësive për tu bërë kryeministër i vendit...
Me rotacionin e pushtetit në vitin 2013, Edi Rama emëroi Saimir Tahirin në krye të Ministrisë së Brendshme. Emërimi i tij u bë objekt sulmi nga opozita, ndërsa qeveria këmbënguli për të sjell një fytyrë tjetër të qeverisjes. Nëpërmjet një propagande të fortë dhe pune reale në terren Saimir Tahiri u bë një yll në ngjitje deri ne pranverën e vitit 2016. Por kanabizimi total i Shqipërisë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nga serat e fushës dhe deri tek lëndinat e maleve imazhi i Tahirit filloi të zbehej për të arritur deri në shkarkimin e tij në 11 mars të 2017. Saimir Tahiri nuk u përfshi as në qeverinë e re të Edi Ramës dhe tashmë akuzat ndaj tij, prej mediave pranë qeverisë të bëjnë të mendosh se kariera e tij politike është në metrat e saj të fundit.
Ky është një vështrim me atë se çfarë ka ndodhur me ministrat në periudhën e tranzicionit, sepse nëse hedhim një vështrim pak më tutje në kohën e diktaturës hoxhiste vëmë re se ministrat më jetëgjatë, si Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu përfunduan të gjithë të vdekur dhe të anatemuar publikisht nga regjimi të cilët i shërbyen.
/TPZ.AL/ J.O