TEJ E KETEJ, 7 Nëntor 2019, 17:32

Ministri Lleshaj: Unë e shpëtova Alvinin! Morën pjesë edhe forca italiane, kryqe të kuq, gjysmëhëna po të kuqe, etj etj 

Ministri Lleshaj: Unë e shpëtova Alvinin! Morën pjesë edhe

Ministri i Punëve të Përbrendshme, Sandër Lleshaj, pas një mungese disa ditore, në media dhe në Shqipëri, doli sot paradite nga Libani i largët, drejtëpërdrejt në televizionin e Irfanit, News24.

Shumë krenar, por mbi të gjitha i mallëngjyer, ai lajmëroi mbarë botën shqiptare, por edhe më gjerë, se më në fund kishte arritur të shpëtonte Alvinin e vogël.

- Operacioni ishte shumë i vështirë dhe shumë i ndërlikuar dhe ndodhte për herë të parë, - i tha ministri gazetares së News24  dhe popullit që dëgjonte, i'u bë mishi kokrra-kokrra.

- Pra me këto që po thoni, ju zoti ministër morët pjesë drejtëpërdrejt vetë në këtë operacion kaq të vështirë dhe kaq të ndërlikuar?!

- Jo, jo, unë nuk mora pjesë në operacion. Unë e prita Alvinin kur e sollën nga kampi sirian, në kufirin libanez. Në vendin e operacionit ne dërguam një flamur shqiptar sa për ta fotografuar.

Kur e pashë Alvinin, mu duk si një fëmijë i kthyer nga ferri. Por, më në fund ai është i lirë dhe pritet të takohet me babain e vet...

- Ku është Alvini tani zoti ministër?

- Tani ai është në ambasadën e Italisë në Liban dhe shumë shpejt italianët do ta kthejnë në Romë, ku siç thashë, e pret i ati. Dhe kuptojeni, kjo mrekulli, ndodhi vetëm sepse kryeministri Rama, bisedoi në telefon me kryeministrin Conte dhe ja tani Alvini është i lirë. Më kupton? Kryeministri Rama...

- Po ju që nuk morët pjesë në operacion, çfarë bëtë në Liban një javë zoti ministër?

- Në Liban, më pritën mirë. Takova aty autoritetet më të rëndësishme dhe posaçërisht homologun. Pasi e takova dhe i dorëzova Alvinit pasaportën shqiptare, sepse siç e dini edhe pse ai nuk kishte asnjë dokument me vete, është shqiptar dhe i duhej pasaporta e shtetit tonë, për t'u pajisur me vizën italiane. Pasi kreva këtë punë, ju luta autoriteteve libaneze dhe të gjithë autoriteteve të tjera, që morën pjesë në lirimin e Alvinit, se nëse lirojnë shqiptarë të tjerë, gra apo fëmijë, nga kampet e robërve sirianë, të më lajmërojnë dhe unë menjëherë do të nisem nga Shqipëria, për t'i pajisur me letërnjoftime.

- Zoti ministër, në operacionin për lirimin e Alvinit, përveç jush dhe bisedës së Edi Ramës me kryeministrin e Italisë Conte, a morën pjesë forca të tjera?

- Unë, siç të thashë, nuk isha në operacion dhe për rrjedhojë nuk i pashë ata që morën pjesë. Por siç dëgjova, në këtë operacion, të pa parë ndonjëherë, kishin marrë pjesë forca të sigurisë libaneze, Kryqi i Kuq, Gjysmëhëna e Kuqe, Kryqi i Bardhë, Forcat e Sigurisë Italiane, më duket edhe të sigurisë turke dhe sigurisht në krye, në kufirin libanez me Sirinë,  prisja unë me pasaportën e Alvinit në dorë...

- Zoti ministër, faleminderit për intervistën!

/TPZ.al/ Tej e këtej/