TEJ E KETEJ, 22 Shtator 2019, 22:03

Elisa Spiropali bisedë me Fugën dhe një plakë në Farkë, për tërmetin dhe Ilir Metën

Elisa Spiropali bisedë me Fugën dhe një plakë në


Në kohën kur u mbushën lart nga njëzetë tërmete, shumica të nivelit të moderuar, por edhe të nivelit të lartë dhe kur i madh dhe i vogël kanë mbetur të tmerruar dhe u ka hyrë frika në palcë, Elisa Spiropali, shumë e shqetësuar, telefonoi Endri Fugën:

- Aman o Fugë, aman o vëlla, ç'është kjo hata që na ndodhi?! Edhe tërmeti natyror na duhej sot vëlla. Pak tërmete na kanë rënë mbi kokë këto kohë, hajde mbaj tani edhe këtë natyrorin. Hajde dëgjo tani vëlla edhe atë fshatarin e Skraparit. U talla me të dhe m'u kthye tallja mbrapsht. Hajde të mbash në shpinë tani, copën e Skraparlliut, Ilir Metën.

- Të kam thënë o Elisë, bëj kujdes kur flet, mos përdor asnjëherë mendimin tënd, të kam thënë.

- Më ke thënë o Fugë, edhe ti edhe Skënderbeu, më keni thënë vërtet. Më keni thënë që të kemi marrë dhe vendosur lart në shtet, jo për mendimin. Ti ke vetëm të folurën, më keni thënë, mendimin e kemi gati dhe ta japim ne.

- Pikërisht, - e ndërpreu Fuga, askush nga ne nuk të tha sulmo Ilir Metën, për letrën që ai lëshoi për tërmetin.

- Mu tha koka e bëra o Fugë, sepse mendova që nuk është gjë politike, pa zarar mendova dhe e bëra. Mendova se tërmeti nuk është element politik dhe me këtë rast, po tallem pak me fshatarin e Skraparit, thashë. Po si e gjeti copa e injorantit xhanëm?! Si mund të gjejë Ilir Meta tërmetin?! Është bërë e çuditshme kjo botë o Fugë. Duke menduar që Ilir Meta po thoshte një budallallëk, unë u talla.  Njëlloj si Skënderbeu, që s'la gjë pa thënë për Trumpin, duke menduar se ai nuk do të bëhej kurrë president. Po mirë Trumpi u bë o Fugë, se dhe Amerika ka hallet e saj, po Ilir Meta si mund të gjejë tërmetin xhanëm?

- Po si të mos e gjejë o Elisë?! Me ato budallallëqe që thua ti, tërbohen edhe vetë fenomenet natyrore. Tërbohet dhe tërmeti dhe zgjohet e shpërthen o Elisë.

- Mirë o Fugë mirë, se s'të mora për fshatarin e Skraparit. Po tani në këto ditë të vështira, si të sillem? A të dal? Ç'të them? Ku të shkoj?

- Dil patjetër, - i tha Fuga, - si të mos dalësh?! Gjithë shqiptarëve, ke kohë që u je bërë halë në sy. Po nuk dole kushedi ç'do të thonë. Dil por jo në qendër! Vetëm në periferi dil!

- Po ç'tu them njerëzve o Fugë,  se mos më pyesin për Ilir Metën?

- Lëviz e pikëlluar dhe mbaje pak gojën kyçur, se s'të gjen gjë nga gojëkyçja. Vishu me të bardha që njerëzve t'ju japësh dritë dhe të mos tremben nga errësira e lëkundjeve dhe tërmeteve. Bëj shumë kujdes, se pastaj del dhe ai Olti Curri dhe të thotë, ha mut ha!

- Ke të drejtë, - ia ktheu Elisa dhe pasi mbylli telefonin, u lëshua menjëherë drejt periferisë më të afërt, në Farkë.

- Si i bëhet moj bijë, si na e hodhi Ilir Meta këtë flamë tërmet?! Si na tradhëtoi ai katil në këtë mënyrë?! - e pyeti një plakë 83 vjeçare që i kishin rënë dy balletë e dhomës ku flinte.

- S'ka tërmet dhe Ilir Metë, që të na o ndalë nënë. Të gjithë jemi në këmbë, unë, Skënderbeu, Erioni, Elva e Kulturës, Besa e Arsimit dhe Arben Ahmetaj i ish ekonomisë.

- E shoh, e shoh, - i tha plaka. Të gjithë në këmbë jeni. Po para, lek, për gjithë këto dëme, a keni moj bijë ?

- Reagimi ynë është maksimal nënë. Strukturat kanë ngritur në kohë rekord gjashtë qendra emergjence. Po të duash edhe ti vetë vjen e fle në njërën prej tyre, sa të rindërtojmë balletë e shtëpisë. Po vlerësojmë çdo dëm. Paratë i kemi nga buxheti i shtetit dhe jo nga xhepat tuaj, siç ka thënë shoku ynë i dashur, Arben Ahmetaj. Por mbi të gjitha nënë, ti duhet të kuptosh që, duke e mbuluar vetë çdo shpenzim, ne s'kemi nevojë për të huajt...

- Rrofsh moj bijë, rrofsh! Më kujtove Lenka Çukon, gjithë atë shoqe të djeshme, gjithë atë zonjë. Gjithë jetën me forcat tona, si nuk u mbaruan njëherë këto forcat tona?! - mërmëriti plaka dhe u rikthyer drejt  shtëpisë me dy balle të rrëzuara...

/TPZ.al/ Tej e këtej/