Një ngjarje shumë e zhurmshme ka ndodhur sot paradite, në sallën VIP-Palestër, në hotelin prestigjioz, Sheraton.
Gazetari i njohur, Sokol Balla, ka zhvilluar në ringun e kësaj palestre, një ndeshje boksi me gjashtë raunde. Zhurmat dhe grushtimi me instruktorin, kanë qenë kaq të mëdha dhe pasionante, saqë kanë trembur jo vetëm autoritetet, por edhe pronarët e hotelit.
Në raundin e tretë, kur përplasja arriti kulmin, pronari i madh i hotelit, Shefqet Kastrati, dërgoi për të parë ç'po ndodhte, vëllaun e tij të vogël.
- Ç'është ky boks si luftë? - pyeti vëllai i vogël i Çetit, sapo mbërriti në boksore, në fund të raundit të tretë.
- Jam Sokol Balla, - u prezantua moderatori i njohur.
- Të njoh, - i tha vëllai i vogël i Çetit, je public figurë. Po pse po lufton në boks, me kaq egërsi?
- Nesër filloj sezonin, - tha gazetari i njohur dhe thashë të bëj pak boks, ashtu siç ndodh para betejës.
- Po me kë do luftosh ti?! - pyeti i çuditur vëllai i vogël i Çetit. Se as unë, as Çeti, as vëllezërit e tjerë, nuk të kemi parë ndonjëherë në luftë.
- Ndoshta ke të drejtë, - ia ktheu gazetari i njohur, por më në fund erdhi edhe dita ime. Deri më sot nuk më kanë lënë asnjë ditë të luftoj. Në fillim, ai Tani i Topit, ndjesë pastë, nuk më la asnjë sekondë të luftoja. E bëri televizionin të majtë. Pastaj erdhi gruaja, herë majtas, herë djathtas, herë majtas, në mes unë, as me luftë, as pa luftë. Pastaj vëllezërit Dulaku, si sëmundje e butë që janë... Ç'të të them? Sëmureshin nëse unë filloja luftën me Edi Ramën. Le që nuk i gjeje dot. Kishin një axhendë, që ç'të të them. I telefonoje sot dhe të takonin mot. S'kisha ku të merrja leje për luftë. Tani erdhi liria dhe nesër filloj.
- Po kundër kujt do ta bësh këtë luftë ti?!- këmbënguli i çuditur vëllai i vogël i Çetit.
- Kundër qeverisë, kundër kujt tjetër? - ia ktheu Sokoli. Nesër dhe në ditët që vijnë, e bëj copa copa Edi Ramën. Erdhi më në fund edhe dita ime. Nesër fillon fillimi i fundit të Edi Ramës.
- Po me kë do t'i bësh këto sulme? A ke bashkëpunëtorë?
- Kam si s'kam, kam gjithë qeverinë, gazetarët që kisha dhe ndonjë kritik të madh, që do ta lejoj të thotë ç'të dojë. T'i bëjë ministrat mut ti bëjë! T'i bjerë legenit gjithë emisionit po deshi...
- Po mirë, - pyeti vëllai i vogël i Çetit - a do të lërë pronari, domethënë Irfani, t'i bësh gjithë këto të zeza Edi Ramës? Se edhe Irfani i Skraparit ka hallet e veta, siç i kemi edhe ne.
- Ka, nuk them s'ka, por sulmet e mia do ta ndihmojnë më shumë Irfanin, për të bërë transparencën, që Irfani e do më shumë se çdo gjë në jetë.
- Ëëëëë, paskam qenë pak i trashë, tani e kuptova, - tha vëllai i vogël i Çetit. Pra, ti po më thua, që pak a shumë do të bësh një opozitë shumë të fortë, që i duhet edhe Irfanit edhe Edi Ramës. Me një fjalë, Edi Rama e paska kuptuar që vendit i duhet edhe një media kritike, që ta bëjnë njerëz shumë të besuar... Dhe ta paska besuar ty.
- Qenke shejtan i madh ti, - i tha Balla duke hequr dorezat e boksimit.
PS. Ndiqni video-pamje nga boksi i shfrenuar i Sokol Ballës.
/TPZ.al/ Tej e këtej/
VIDEO: