TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në çastin kur presidenti Ilir Meta, raportoi para Komisionit Hetimor, se në datën 8 Qershor, ishte planifikuar të digjej parlamenti, Lulzim Basha, që po e ndiqte rrëfimin e Metës nga televizioni, jo vetëm u habit shumë, por edhe u tremb dhe menjëherë filloi të lëvizte nëpër hapësirën e madhe të zyrës, pa ditur ç'të thoshte.
Raportimin e Presidentit Meta, bashkë me të po e ndiqnin edhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Profesor Spaho, Gaz Bardhi dhe Edi Paloka.
- Si ka mundësi të thotë këtë gjë presidenti?! - theu heshtjen Profesor Spaho. Ti u bëre 45 vjeç dhe akoma nuk ke vrarë një mizë. Si mund të djegësh ti dhe sidomos ne të tjerët, parlamentin e Shqipërisë?! Pastaj, si mund të digjej ky parlament, me atë gaz që hidhte Llesh Kimiku?
Në çastin, që Meta tha se do të digjej parlamenti dhe ai nuk mund të lejonte përsëritjen e Rajshtagut, Luli u ul përsëri në karrige dhe vendosi në formë gjëme, të dyja duart në kokë.
- Po ç'domethënë kjo tani? - pyeti Paloka. Na bëri edhe Hitler. Ç'lidhje kemi ne me Rajshtagun?! Prit kur ta dëgjojë edhe ky Palmeri i Amerikës këtë deklaratë dhe të na futë në listën e zezë. Pu, pu, pu edhe kjo nga duhej tani, të prishemi edhe me Amerikën, prej Ilir Metës.
- Ç'të them unë i shkreti?! - foli Luli për herë të parë si nëpër ëndërr.
Ende ishte tmerrësisht i habitur dhe i trembur.
- Ç'punë kam unë me djegien xhanëm? Si mund të djeg unë parlamentin?! Kur isha student në Hollandë, në Utreht, shoku im i dhomës, një mbrëmje vonë, duke pirë cigare në krevat, befas e zuri gjumi dhe dogji dyshekun. Pas kësaj ngjarje të tmerrshme, unë u largova tre netë nga konvikti. E kisha tmerr të afrohesha dhe jo më të flija tek dhoma ku u dogj dysheku.
- Për një dyshek që e dogji shoku i dhomës dhe jo ti. Merre me mend ç'do të bëje sikur të digjie parlamentin! - i tha Paloka.
- Ç'flet o Palokë, - e ndërpreu Profesor Spaho. Po ky Meta vallë, përse e tha këtë gjë?! Mos vallë, nuk është mirë ky njeri tani? Se këto kohët e fundit ka marrë edhe malet, e keni parë, mal më mal dhe kodër më kodër, bashkë me Çim Pekën. Mos po na merr edhe ne në qafë më duket.
- Ndoshta nuk e ka patur me ne, por me Ramën, - foli për herë të parë Gaz Bardhi.
Befas kjo fjalë, i çliroi të katërt si me magji dhe kuptuan, që Gazi, ashtu si padashur, kishte gjetur zgjidhjen. Brilante! Presidenti nuk e kishte patur për opozitën.
- Bëj urgjent një deklaratë, - i tha Luli, Gaz Bardhit dhe u largua nga selia, ashtu i gjatë, i qeshur dhe me ballin lart.
- Nuk më duket mirë ky Meta, - i përsëriti Profesori, Palokës. Kot nuk ka marrë malet...
/TPZ.al/ Tej e këtej/