TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bëhemi me dije, se Edi Rama, ka shpërndarë sot për Angela Merkel, por edhe për autoritete të tjera gjermane në Bundestag, librin e tij të fundit me piktura, realizuar gjatë mbledhjeve, apo punës së tij të përditshme. Këtë libër ai e ka titulluar "Work".
Siç e thamë, e para e ka marrë këtë dhuratë të çmuar, vetë zonja e nderuar Angela Merkel, e cila pasi ka kqyrur dhe shfletuar 15 faqet e para, ka pyetur Edi Ramën:
- Po mirë zoti Edi, ti bën piktura, apo libra me piktura? - pyeti kancelarja, si një zonjë jo fort e ndriçuar me punët e pikturës kontemporane dhe sidomos me hilet e saj.
- Piktura e dashur mikesha ime e vjetër, bëjnë të gjithë piktorët dhe ky fakt i rëndomtë, nuk përbën ndonjë gjë interesante. Unë ndryshe nga të tjerët, thjesht pikturoj, skicoj, apo shkarravit pikturë, për ta kthyer më pas këtë materie në libër.
- Po mirë, Edi, si e gjen kohën që skicon dhe shkarravit gjithë këto piktura?!- pyeti Merkel e habitur.
- Pikërisht këtu është problemi, zonja kancelare. Unë e bëj këtë gjë, sepse nuk kam çtë bëj me kohën. Tavolina ime e punës, është e mbushur plotë me lapustila, ngjyra ngjyra. Frymëzimi më i madh më vjen gjatë mbledhjeve të qeverisë. Pikërisht mikja ime e vjetër, në këtë kohë, unë shpërthej. Kjo gjë më ka shpëtuar (këtë po ta them vetëm ty), edhe nga dëgjimi i budallallëqeve, që flet kabineti im. Se siç e di edhe ti, unë kam zgjedhur një kabinet, që siç thotë një fjalë e urtë popullore, as sheh as dëgjon.
Në fillim të çdo mbledhje, më të shumtën e kohës, unë qëllimisht lejoj të flasë zëvendëskryeministrin Erion Braçe. Gjatë gjithë kohës që ai flet, unë hedh nëpër letra një të kuqe të ndezur, që është ngjyra ime e preferuar. Gjithë këtë të kuqe e shoqëroj me pak të zezë. Po të them një sekret mikeshë, kaq e dua të kuqen, sa kam urdhëruar ta përdorin në të gjithë Shqipërinë. Po të hypi dëshira dhe vjen në Shqipëri, do të shohësh stadiumin në qendër të Tiranës. E kam mbytur me një të kuqe të ndezur, që do të të ngazëllejë kaq shumë, sa do të të duket vetja 30 vjeç. Kjo është ngjyra ime. Edhe të vdekurit mund t'i ngjallë kjo ngjyrë.
Kur flasin gratë e qeverisë dhe sidomos Ministri i Jashtëm, djali më i mençur që ka lindur në Ballkan në 500 vitet e fundit, unë përdor ngjyrën e verdhë dhe jeshile. Rrallë, kur flet ndonjë si Blendi Klosi, përdor ngjyrën gri.
Kur më vjen në zyrë, kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi, apo ndonjë vjetërsirë tjetër e PS-së, si hakmarrje, derdh në pikturë ngjyrën mavi të Rilindjes, që e solla sapo erdha në këtë parti dhe ata shtrëngohen dhe nuk flasin.
- Po mirë Edi, anëtarët e kabinetit, a i shohin pikturat e tua dhe çfarë thonë? - e ndërpreu kancelarja.
- Ku guxon njeri të përshpërisë, zonja kancelare, vetëm ministrja e shtetit, Elisa Spiropali, ajo me çantën e rëndë, që ti e ke takuar disa muaj më parë, i merr pikturat e mija, ende pa u kthyer në libër, ulet në një cep të zyrës, i puth dhe qan. Qan aq shumë, sa edhe Endri Fuga, me gjithë forcën që ka, nuk e largon dot nga zyra.
Ç'të të them, është një e qarë që të këput shpirtin. Kur del libri im, 30 kopjet e para i rrëmben Elisa, për vete dhe për fisin.
- Po mirë, - tha zonja Merkel, se unë nuk marr vesh shumë nga arti. Ti si e ke kuptuar që ke talent për piktor?
- Nuk është çështje kuptimi zonja Merkel. Kuptimshmëria nuk është shumë e rëndësishme për mua. Unë thjesht kam vendosur që jam piktor dhe kaq.
- Kuptova, - tha kancelarja - dhe u largua edhe e hutuar edhe e trembur, nga njeriu që herë i shfaqej me kostum dhe atlete, herë me libër me piktura...
/TPZ.al/ Tej e këtej/