AKTUALITET, 22 Tetor 2018, 12:06

Mbyllen bujtinat në Valbonë, arsyeja që i detyroi është e trishtë

Nëse doni të bëni vizita dyditore në Valbonë, atëherë duhet të prisni deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo pasi bujtinat në atë zonë kanë vendosur drynin, për t’u hapur vetëm në prill-maj të 2019-s.

Nga dhjetëra bujtina dhe hotelet në zonë aktualisht janë të hapura vetëm katër prej tyre që kanë kapacitet të lartë akomodimi.

Pavarësisht se ka ende vizitorë, administratorët e bujtinave janë ankuar se nuk u dalin llogaritë pas përfshirjes në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Tani vizitorët janë më të rrallë dhe kryesisht fundjavave, ndaj bujtina ku punoj u mbyll për të evituar pagesat e energjisë, pagave të punonjësve dhe taksave të tjera”, tha Astrit Selimaj, banor i zonës i punësuar në një nga restorantet e Valbonës.

Ai tha për “Monitor” se përfshirja në TVSh dhe aksioni i tatimeve për kuponin tatimor ku u vendosen disa gjoba këtë vit i ka bërë bizneset me racionale në zgjedhjet e tyre. Për momentin zgjidhja më e mirë është mbyllja për 6 muaj.

Si rezultat i kësaj gjendje dje turistët nga Tirana e kanë pasur të pamundur të rezervojnë, pasi shumica e bujtinave janë mbyllur edhe pse koha për udhëtime është mjaft e favorshme.

Burimi: Monitor