TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
47 dosje hetimore nën hetim në Prokurorinë e Tiranës janë mbyllur për dy muaj sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që për herë të parë sugjeron në drejtësi dënimin nga prokurori të të dyshuarve me marrëveshje fajësie dhe me urdhër penal.
Risia në Kod parashikohet të sjellë mbyllje të shpejtë të hetimeve për një sërë dosjesh si edhe mos zvarritjen e qytetarëve në gjykatë, një ngërç ky i evidentuar në gjyqësorin shqiptar.
Dosjet e përfunduara brenda një afati të shkurtër përfshijnë të akuzuar për vepra penale që parashikojnë dënimin deri në 7 vjet burgim kryesisht për drejtim mjeti në gjendje të parregullt, fshehje e të ardhurave, ndërtim i paligjshëm, kallëzim i rremë dhe vjedhje.
Gjithashtu me procedurë të përshpejtuar, siç shprehin ndryshimet e reja, janë mbyllur me urdhër penal edhe dosje për kundërvajtje që nga shpifja deri tek plagosja e lehtë.
Sipas ndryshimeve, marrëveshja e fajësisë firmoset gjatë hetimeve dhe i dyshuari bie dakord që të mos gjykohet duke u shpallur fajtor nga Prokurori.
Megjithatë, siç vërehet në Gjykatën e Tiranës përballë kërkesave në rritje nga akuza, gjyqësori duket se po përpiqet ta ruajë për vete ekskluzivitetin e shpalljes së vendimeve.
Nga një vëzhgim i Top Channel vërehet se Gjykata e Tiranës gjatë seancës për miratim marrëveshjeve dhe urdhrit penal ka kthyer pas 20 vendime të Prokurorisë.
Argumenti kryesor është se gjyqtarët nuk bien dakord me masën e dënimit të dhënë nga prokurori dhe të pranuar edhe nga i pandehuri.
Ky qëndrim i gjyqësorit shënon përplasjen e parë brenda vetë pushtetit të tretë pas ndryshimeve të reformës në drejtësi./TCH