AKTUALITET, 16 Tetor 2018, 11:20

Masakra e Matit/ Çfarë tha në prokurori gruaja e autorit, familja merret në mbrojtje: Në banesën tonë nuk ka patur…

Në lidhje me masakren në Mat, është thirrur dhe pyetur si person që tregon rrethanat e hetimit edhe bashkëshortja e Kujtim Koxhës.

Ajo ka shpjeguar në Prokurori se burri i saj ka dalë nga shtëpia në mëngjes dhe nuk është kthyer më në banesë. Por, rreth orës 13:30, Vjollca Koxha ka thënë se ka dëgjuar të shtëna me armë te lokali i Qazim Karrosit.

Më pas, ajo u tha oficerëve të Policisë Gjyqësore se është vënë në dijeni për ngjarjen nga banorët e fshatit.

“Banorë të fshatit më thanë se Kujtimi ka qëlluar në lokal dhe ka plagosur disa persona. Unë nuk kam dijeni për armën dhe shkakun e konfliktit të ndodhur. Në banesën tonë nuk ka pasur armë kurrë”, është shprehur Vjollca Koxha.

Në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 tetor, viktima mbetën punonjësit e Bashkisë Mat: Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe banori i fshatit Hamit Buci. Hoxha gjeti vdekjen pa mbërritur ende në spitalin “Xhavit Mara” Burrel, ndërsa Aliaj dhe Buci humbën jetën gjatë transportit me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, shkruan Panorama.

I plagosur me dy plumba mbeti Astrit Hani. Bashkëshortja dhe motra e 54-vjeçarit është marrë në mbrojte nga Policia, për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga familjarët e tre viktimave.

Kujtim-Koxha-Masakra-Matit

Ndërkohë, dy vajzat mësohet se janë të martuara, njëra në Tiranë dhe tjetra në Korçë dhe nuk jetojnë në shtëpinë e familjes.

Gjithashtu edhe dy djemtë mësohet se janë emigrantë në Itali dhe Greqi dhe nuk ndodhen në Shqipëri.