AKTUALITET, 12 Nëntor 2019, 11:02

Lëvizja Vetëvendosje dënon dhunën shtetërore te Astiri

Lëvizja Vetëvendosje dënon dhunën shtetërore te Astiri


Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë ka dënuar sot ashpër dhunën sistemike të një shteti që sipas saj “mori sot formën e dhunës direkte te Astiri”, Duke theksuar se “Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të “Unazës së Re””.

VV pohon se shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve:

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka ndjekur me shumë shqetësim të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në zonën e “Astirit” pranë “Unazës së Re” në Tiranë, ku qytetarët kanë muaj që protestojnë pas skandaleve të një projekti korruptiv infrastrukturor me kompaninë “DH Albania”.

Siç është raportuar edhe nga mediat, rreth 13 persona, qytetarë dhe pjesëtarë të Policisë, janë lënduar gjatë aksionit të sotëm të Policisë dhe po marrin shërbim pranë spitalit Universitar të Traumës.

Sakaq, mediat kanë raportuar gjithashtu se rreth 10 protestues të tjerë janë arrestuar, mes tyre edhe pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, e disa edhe janë keqtrajtuar gjatë arrestimit”.