AKTUALITET, 10 Nëntor 2020, 16:34

Letra e Veselit nga Haga: Tribunali është i Kosovës, të mos i mbajmë mëri...!

Në seancën e parë në Gjykatën Speciale në Hagë, kundër kreut të PDK-së, avokati i tij ka kërkuar që Kadri Veseli të presupozohet i pafajshëm dhe të gjykohet në liri.

Kërkesa

Ben Emmerson ka deklaruar se Veseli është dorëzuar dhe me këtë rast, ai ka paraqitur edhe një letër.

“Z.Veseli duhet të presupozohet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Duke vijuar nga kjo, gjykata do të marrë parashtrim ose kërkesë që Veseli të lirohet deri në pritje të fillimit të gjykimit. Desha të shënohet në proces verbal, fakti se z.Veseli është arrestuar, ju si gjykatës duhet të dini se Veseli erdhi në gjykatë në bazë të një marrëveshjeje paraprake, vullnetarisht. Dorëzimi i tij vullnetar u bë me kërkesë të avokatit. Është e drejtë ta theksoj se ditën që u dorëzua ai ka dorëzuar deklaratë të cilën dua ta lexoj”, deklaroi Emmerson.

Letra

Më pas, Emmerson lexoi letrën e Veselit.

“Pres që gjykatësit do të japin vendim të drejtë në fund. Megjithëse është në Hagë kjo gjykatë është pjesë e ligjit tonë, nuk duhet të kemi asnjë lloj mërie për ata që punojnë në Tribunal. Ata po bëjnë atë që populli jonë i Kosovës kemi kërkuar të bëjmë, ky Tribunal është pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt krijimit, forcimit të shtetit dhe ne duhet ta çojmë këtë proces deri në fund"...me këto fjalë ish- kryeparlamentari Kadri Veseli iu drejtua nga Haga qytetarëve të Kosovës. Veseli zgjodhi që këtë mesazh të mos ta artikulonte vetë, por e lexoi avokati i tij, Ben Emmerson.

Veseli deklarohet i pafajshëm

Veseli foli shumë pak në seancën që zgjati 48 minuta. Ai u shpreh i bindur në pafajësinë e tij për të 10 akuzat e Prokurorisë. Avokati i tij, Emmerson nuk ishte i pranishëm në sallë, por mbrojtjen e bëri nëpërmjet lidhjes online, ku u kujdes të theksonte disa pika, të rëndësishme siç ai i cilësoi. Së pari, do të kërkojë gjykimin në liri të Veselit, së dyti prezumimin e pafajësisë deri sa Gjykata të thotë fjalën e fundit dhe së fundi, ai ka sqaruar se ndonëse përmendet që është arrestuar, Veseli ka ardhur në Hagë në mënyrë vullnetare...

Pas kësaj, ish-kryeparlamentari i Kosovës ka thënë se s’ka asgjë për të shtuar për këtë deklaratë.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, është vetëdeklaruar i pafajshëm në Gjykatën Speciale. Ai ka thënë se i ka lexuar të gjitha pikat e aktakuzës, duke shtuar se deklarohet tërësisht i pafajshëm.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat. Më lejoni të deklarohem se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë ai. Megjithatë, Veseli do të mbetet në paraburgim.

Akuzat

Ndaj tij rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç'njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991. Më herët përpara Gjykatës Speciale të Hagës kanë dalë ish- kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish- presidenti i Hashim Thaçi, të cilët të dy i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Mbrojtja

Ben Emmerson, avokati i njohur britanik, është përfaqësuesi ligjor në Gjykatën Speciale, i Kadri Veselit. Ai i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare dhe penale kushtetuese e publike, e njeh shumë mirë Kosovën, UÇK-në dhe luftën e saj për liri.