AKTUALITET, 28 Shkurt 2018, 15:04

“Last Snow’, gjithçka për operacionin ku u kap 613 kg kokainë me vlerë 180 milionë dollarë

“Last Snow’, gjithçka për operacionin ku u kap 613 kg

“Last Snow”, apo “bora e fundit” ishte operacioni  i Policisë së Shtetit, ku u  sekuestruan 613 kg kokainë me vlerë tregu 180 milionë euro dhe solli arrestimin e dy 25-vjeçarëve Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, ndërkohë që në kërkim është një i tretë. Droga mbërriti në Portin e Durrësit, më 19 shkurt, ndërsa operacioni u krye, më 27 shkurt, kur edhe u magazinua në ambientet e firmës “Arbri Garden” shpk.

RRUGA E DROGËS – Kokaina e kapur prej 613 kg e vendosur në pako të vogla u shkarkuan nga një anije që vinte nga Kolumbia nëpërmjet Italisë dhe Maltës, e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.

HETIMET - Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.

OPERACIONI - Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

TË ARRESTUARIT – Të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë: Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, dhe Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.

META - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta përshëndet aksionin e fundit të Policisë së Shtetit për kapjen e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Presidenti Meta duke theksuar rrezikun kryesor që i vjen sigurisë kombëtare të vendit nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, kërkon thellim të mëtejshëm dhe intensifikim të bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë.

RAMA -  Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, kryeministri Rama, duke veçuar faktin se, operacioni është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane shkruante se “operacioni shënon një hap të madh përpara të shtetit tonë në përballjen me krimin e organizuar”.

XHAFAJ - Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj  takoi Drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliu dhe drejtuesit e operacionit të fundit antidrogë "Last Snoë" ku u sekuestrua sasia rekord prej 613 kg kokainë e ardhur nga Kolumbia. Xhafaj vlerësoi faktin e ruajtjes së konfidencialitetit të operacionit nga Policia dhe Hetimi Doganor.

MEDIAT E HUAJA - Mediat e huaja, kryesisht ato amerikane i kanë kushtuar hapësirë në faqet e tyre kapjes së sasisë rekord prej 613 kg  kokainë në Shqipëri. "Associated Press", "Fox Neës", "Ëashington Post" etj kanë shkruar se policia shqiptare ka kapur një sasi të konsiderueshme kokaine, e cila vinte nga Kolumbia dhe ishte e fshehur në banane.