AKTUALITET, 28 Shkurt 2018, 12:17

Nëna e re humb jetën, dhurohen organet e saj

Gjesti i një familje shqiptare ka prekur mbarë opinioni publik dhe ka marrë vëmendjen e medias italiane.

Një nënë e re humbi jetën si pasojë e një ataku nga astma dhe pikërisht familjarët e saj kanë vendosur që të dhurojnë organet e saj.

Gazeta e Treviglio’s i ka kushtuar një artikull familjes Mara, teksa tregon se një krizë e frymëmarrjes bëri që zemra e Jurilda Mara të ndalonte së rrahuri dhe mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

Ajo dhe bashkëshorti i saj Astrit Mara jetonin ne Tornaghi Cassano bashkë me tre fëmijët e tyre Alessia, Simon dhe Omari.

“Ajo gjithmonë shqetësohej për të ardhmen dhe dëshira e saj  ishte që t’i jepte jetë dikujt tjetër dhe ne ramë dakord që ti dhurojmë organet e saj-“ shpjegojnë familjarët.

Vdekja e saj në moshë të re ka prekur të gjithë komunitetin ku ajo jetonte.

“Ajo vuante nga astma por jo në gjendje të rëndë, të martën kishte një sulm kur ishte në shtëpi dhe zemra e saj u ndal menjëherë . Mjekët nuk e kanë kuptuar ende se çfarë ka ndodhur ndërkohë po presin rezultatet e autopsisë.”- është shprehur bashkëshorti i saj.

Në ceremoninë e lamtumirës kishte shume pjesëmarrës , ku qindra qytetarë kanë shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit Jurildës dhe t’i shprehin ngushëllime familjarëve të saj.

“Është mbajtur riti Islamik gjatë ceremonisë dhe ne jemi habitur për respektin dhe se si të pranishmit kanë ndarë bashkë me ne dhimbjen për këtë humbje“- ka përfunduar Astriti. Gjithashtu gjesti që familjarët kanë bërë duke dhuruar organet është vlerësuar nga i gjithë komuniteti dhe është një mesazh sensibilizues që edhe pse Jurilda nuk jeton më, organet e saj po mbajnë në jetë dikë tjetër.