TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Populistët e Europës kanë shumë të meta, por edhe diçka nga e cila mund të nxirret mësim
Bashkimi Europian duhet të ndihet sikur e ka mundur turmën populiste. Rritja ekonomike është në nivelin më të lartë të dekadës së fundit. Emmanuel Macron mundi Frontin Kombëtar dhe është duke ndryshuar Francën. Edhe pse vetëm 41% e qytetarëve kanë besim te BE-ja, shifra është gjithsesi më e lartë nëse do ta krahasonim me besimin që kanë qytetarët te qeveritë e tyre kombëtare, si dhe është njëkohësisht rreth dhjetë pikë më shumë në krahasim me nivelin që arriti pas krizës financiare, shkruan The Economist.
Megjithatë, populizmi nuk mund të quhet i mundur dhe as i nxjerrë plotësisht jashtë loje. Kryengritësit janë ende në krye të detyrës në shtete si në Poloni, Hungari dhe Austri dhe madje dolën fitimtarë në votimin e javës së kaluar në Republikën Çeke. Në Itali, partia politike e njohur si “Lëvizja Pesë Yje” ka filluar të nuhasë fitoren dhe marrjen e pushtetit në zgjedhjet e muajit të ardhshëm. Gjithashtu, pritet që në vitet e ardhshme, ndikimi i partive populiste ka gjasa të rritet. Në vend që të deklarojë fitoren dhe t’i kthehen si zakonisht politikës, establishmenti duhet të mësojë prej tyre. Kjo do të thotë që të miratohen më të mirat që populistët ofrojnë dhe të hidhen poshtë gjithë të tjerat.
Larg mesazheve tradicionale
Ka shumë gjëra që nuk mund t’u pranohen dhe që u duhen hedhur poshtë populistëve. Populistët e vijës së ashpër ndjekin një politikë antagoniste, duke imagjinuar dhe duke besuar se shoqëria ndahet në mënyrë shumë të thjeshtë midis popullit dhe elitave.
Ata pretendojnë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes politikanit dhe qytetarit, gjë që i lë shumë pak hapësirë zhvillimit të sistemit gjyqësor të pavarur apo shtypit të lirë për pakicat apo për fakte të ndryshme që bien ndesh me ndjenjat instiktive të votuesve.
Por megjithëse populizmi ka pasur shumë mashtrues demagogjikë, ai ka pasur në radhët e tij edhe reformatorë dhe demokratë. Revolucionarët europianë që përfaqësonin opozitën ndaj monarkisë absolute në vitin 1848 kishin cilësi kryesisht populiste. Kështu vepruan edhe burrat e shtetit të shekullit të 19 dhe të fillimshekullit të 20-të, të cilët hodhën themelet e shteteve të mirëqenies në Perëndim dhe të lëvizjeve kundër regjimit pas Perdes së Hekurt, të tilla si “Solidariteti” gjatë viteve 1980.
Në duart e njerëzve të duhur, dhe larg përbërësve të tyre helmues, mënyrat dhe format e veprimit të populistëve mund të jenë të dobishme edhe për kundërshtarët e tyre.
Përgjithësisht populistët kanë komunikuar pakënaqësinë e votuesve të zakonshëm. Historia e kohëve të fundit është e mbushur me shembuj të politikanëve që kanë dështuar sepse nuk janë përballur me çështje politike emotive, përfshirë edhe Angela Merkel në trajtimin që i bëri krizës së refugjatëve në Gjermani. Në të kundërt, ata ose fshihen ose përdorin argumente teknokratike, me nëntekstin se nuk ekziston “asnjë alternativë”.
Komunikimi është i zbrazët dhe i vakët nëse nuk i kushton vëmendjen e duhur shqetësimeve të votuesve. Kur ankesat janë të justifikuara, atëherë ato meritojnë që t’i kushtohet vëmendja e duhur dhe madje edhe të rregullohen. Mbështetja e sotme për populistët shpesh shoqërohet me zhvendosjen e globalizimit, duke përfshirë këtu edhe ndryshimet e shpejta industriale, emigracionin masiv, ndryshimin e vlerave sociale dhe një rënie të përgjegjshmërisë ndaj komunitetit. Injorimi i çështjeve të caktuara për shkak të frikës sesa përballja me to do të ndikojë vetëm duke rritur më shumë ndjeshmërinë ndaj tyre, nuk do të bëjë gjë tjetër vetëm se do t’i dorëzojë ato tek populistët.
Dhe kjo gjë kërkon një sipërmarrje të lartë politike. Populistët janë novatorë strukturorë. Kjo ishte e vërtetë në të kaluarën kur për shembull, pabarazitë e shekullit të 19-të “Epoka e Artë”, krijuan partitë e reja Marksiste dhe Partinë Popullore Agraro-populiste në Amerikë. Kjo është e vërtetë edhe sot, në partinë “Lëvizja Pesë Yje”, e krijuar në vitin 2009, dhe partia e qendrës së djathtë Alternativa për Gjermaninë, e krijuar në vitin 2013.
Kundërshtarët e tyre, përkundrazi, janë më tradicionalë dhe më besnikë ndaj ideologjive të vjetra. Nuk është rastësi që forcat më të suksesshme politike për pluralizmin liberal në vitet e fundit kanë përfshirë partinë e qytetarëve “Ciudadanos” në Spanjë, e themeluar në vitin 2006, e cila është aktualisht edhe duke udhëhequr sondazhet dhe partia “En Marche” e z. Macron në Francë, e krijuar në vitin 2016. Dhe të gjitha këto parti mund të konsiderohen edhe si një thirrje e vetme ndaj krijimit të një qasjeje të re ndaj këndvështrimit mbi populistët. Ata mund të mbartin një rrezik të madh, por edhe rritja dhe fuqizimi i tyre është një thirrje për t’i parë ata me një sy tjetër.
Ky ishte edhe këndvështrimi i reformatorëve të shekullit të 19-të dhe të fillimit të shekullit të 20-të, të cilët ecën në gjurmët e marksistëve dhe populistëve agrarë, duke mësuar shumë prej tyre. Theodore Roosevelt dhe Woodrow Wilson morën kartelet e naftës dhe ato hekurudhore dhe u dolën në mbështetje njerëzve të thjeshtë për t’u pajisur me sigurime shoqërore.
Prezantimi i Otto von Bismarck me sigurimin e pleqërisë dhe atë të shëndetit në Gjermani dhe “Buxheti i Popullit” i David Lloyd George në Britani në vitin 1909, janë forma të ngjashme me ato që ndiqen nga populistët.
Emigracioni masiv kërkon integrim më të mirë, i cili t’u mundësojë emigrantëve mësimin e gjuhës së vendit në të cilin shkojnë, gjetjen e një vendi pune dhe vlerat perëndimore.
Në vende ku krimi ka shënuar rritje, si p.sh. në Gjermani dhe Suedi, politikanët duhet fillimisht ta pranojnë një gjë të tillë dhe më pas të vendosin për një zgjidhje të mundshme ndaj këtij problemi. Lufta ndaj evazionit fiskal mund të ndihmojë në rritjen e vlerësimit të tregtisë së lirë.
Automatizimi galopant dhe dixhitalizimi po ndikojnë në ripërtëritjen e sistemeve të arsimit dhe duhet të nxisin reformatorët që t’i marrin gjigantët teknologjikë si Google dhe Amazon në emër të konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit. Kanadaja kombinon integrimin e imigrantëve, një rrjet të sigurt dhe efikas dhe liberalizimin ekonomik më të mirë se vendet e tjera të mëdha perëndimore. Këto kanë qenë disa prej arsyeve se përse ky shtet ka qenë edhe më pak i prekur nga vala e fundit populiste.
Besohet se shoqëritë fragmentuese dhe politika e polarizuar nuk do të jenë në gjendje të përmbysin rritjen e populizmit, i cili mund të konsiderohet edhe si shtysa e duhur për ndryshim, sepse zgjidhja e problemeve të njerëzve sigurisht që do të sjellë me vete frytet e saj.