SPORT, 1 Mars 2018, 17:07

Leo Messi, dy gola larg “stacionit 600”

Leo Messi, dy gola larg “stacionit 600”

Ernesto Valverde, në fund e përfshiu Leo Messin në listën e skuadrës për ndeshjen e sotme kundër Las Palmas. Prania e yllit argjentinas në ekspeditën e Barcelonës i jep atij mundësinë për të arritur shifrën e 600 golave si një futbollist profesionist, duke shtuar se 537 gola i ka shënuar me fanellën e Barçës dhe 61 të tjerë me ekipin e tij kombëtar. Këtë kuotë të jashtëzakonëshme golash mund ta rrisë në një nga fushat e pakta, në të cilën ai ende nuk ka qenë në gjendje të shënojë, në stadiumin “Gran Canaria”. Sfida brenda sfidës për 30-vjeçarin është të rrumbullakosë “600” në këtë transfertë, nëse ia del të shënojë dy gola. Në fushën e La palmas, ai ka luajtur dy ndeshje dhe, ndonëse Barça ishte fitimtare, Leo nuk arriti të shënojë gol. Këto 537 gola aktualë me Barcelonën janë të shpërndarë në 14 sezone, pasi debutoi në edicionin 2004-2005. Që atëherë dhe pas katër sezoneve të para me numër të mirë golash, por pa qenë shifra stratosferike, “kontabiliteti” i tij me katalanasit në këtë drejtim ka “kapur qiellin”. Leo ka arritur sërish këtë sezon në kuotën e 30 golave, minimumi që ka grumbulluar nga edicioni 2008-2009, me një kulm prej 73 golash në sezonin 2011-2012.

GOLAT, LEO MESSI

Me Barçën ka 537 gola

Në La Liga ka 371 gola

Në Ligën e Kampionëve ka 98 gola

Në Kupën e Mbretit ka 47 gola

Në Superkupën e Spanjës ka 13 gola

Në Superkupën Europiane ka 3 gola

Në Botërorin e Klubeve ka 5 gola

Me kombëtaren e Argjentinës ka 61 gola

Në TOTAL ka 598 gola

Messi ka humbur vetëm tri ndeshje këtë sezon, të tria në Kupën e Mbretit kundër Murcia dhe Celta. Si zëvendësues, ai luajti gjysmë ore kundër Juventusit dhe Sporting Lisboa, në Ligën e Kampionëve, si dhe ndaj Espanyol në La Liga dhe një orë kundër Celta, në Kupën e Mbretit. Nëse Barça do të kualifikohet për në finalen e Ligës së Kampionëve, Leo ka gjasa dhe mundësi të luajnë edhe 20 ndeshje, duke numëruar nga sot. Për të ruajtur mesataren, duhet të arrijnë 43 gola, rekord sipas standardeve të tij. Jo shumë kohë më parë, Messi festoi 500 gola vetëm me fanellën e Barçës dhe nuk mundi të zgjedhë një fushë më të mirë. Ishte 23 prilli 2017, gjatë vizitës së Barcelonës në “Bernabeu”, kundër Real Madridit. Pastaj ai shënoi dy gola, i dyti duke treguar fanellën për tifozët madrilenë, një imazh që e përjetësoi për historinë.