AKTUALITET, 15 September 2026, 11:27

"Pagat"/ Administrata e Gjykatës Kukës bojkoton punën, shërbimet ofrohen vetëm për seancat urgjente dhe masat

Administrata e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka bojkotuar sot punën, në shenjë proteste për ngërçin e krijuar lidhur me pagat në sistemin e drejtësisë.

Sekretariati dhe administrata e Gjykatës së Kukësit do të vijojnë bojkotin edhe gjatë dy ditëve në vazhdim.

Gjatë kësaj periudhe, shërbimet do të ofrohen vetëm për seancat gjyqësore me karakter urgjent, për masat e sigurisë dhe për urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes.

Ngërçi për pagat në sistemin e drejtësisë u krijua pas vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në kushtet kur Kuvendi nuk i dha zgjidhje detyrimit për ripërllogaritjen e pagave, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Bojkoti i administratës synon të tërheqë vëmendjen ndaj problematikës së pagave dhe situatës së krijuar në sistemin e drejtësisë, ndërsa qytetarët janë ata që përballen drejtpërdrejt me kufizimin e shërbimeve administrative.