AKTUALITET, 30 Qershor 2019, 14:15

Kryebashkiaku i Rrogozhinës: Votime me telefon, po mbushen kutitë


Nuk kanë fund shkeljet në Qendrat e Votimit këtë të diel kur po zhvillohen zgjedhjet më të pazakonta në historinë pluraliste të Shqipërisë.

Denoncimi më i fundit vjen nga kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini i cili deklaron se komisionerët po manipulojnë votimet për të rritur fiktivisht pjesëmarrjen.

Sipas tij, anëtarët e QV-ve, të gjithë përfaqësues të Partisë Socialiste po mbushin kutitë me fletë votimi në emër të qytetarëve të cilët ndodhen jashtë vendit dhe për rrjedhojë nuk kanë ushtruar të drejtën e votës.

Nuredini ka një apel edhe për qytetarët e Rrogozhinës, ku kërkon prej tyre që të bojkotojnë këto votime si një proces i paligjshëm dhe antikushtetues në kushtet e zhdekretimit të 30 qershorit si datë zgjedhjesh nga Presidenti i Republikës.