AKTUALITET, 22 Nëntor 2017, 09:44

Zbulohet kush e përgjoi kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako

Zbulohet kush e përgjoi kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako

Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, rezulton të jetë përgjuar nga strukturat e EULEX, gjatë kohës kur ato kishin nën vëzhgim një grup të strukturuar kriminal nw Kosovw. Dosja, brenda së cilës ndodhet edhe emri i Dakos, tashmë është në sirtaret e Krimeve të Rënda. Burime nga kjo prokurori konfirmojnë ekzistencën e një dosje. Ndërkohë që prej muajsh janë duke u kryer hetime të thelluara.

Të dhënat tregojnë se hetimet dhe përgjimet kanë nisur kohë më parë. Bëhet fjalë për disa muaj para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.

Telefonatat që Dako dyshohet të ketë bërë me persona të inkriminuar, si dhe përmendja e emrit të tij nga personat e grupit kriminal me njëri-tjetrin, për çështje të ndryshme, kanë detyruar EULEX, që dosjen në fjalë ta referojnë, pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Rreth kësaj dosje ditët e fundit ka pasur edhe një debat tepër të madh.

I pari që doli me një deklaratë për shtyp dhe lajmëroi përfshirjen e Vangjush Dakos në grupe kriminale, ishte lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha, gjithashtu deklaroi se për këtë qëllim është bërë edhe një zhvendosje e prokurorit që po hetonte çështjen, Anton Martini, i cili tashmë është në krye të Prokurorisë së Shkodrës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar se dosja me përgjimet e EULEX, kundër Dakos, ka qëndruar në zyrën e Anton Martinit për më tepër se katër muaj.

Të dhëna kundër Dakos, dha një ditë më parë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ndërsa Vet Dako i ka mohuar akuzat. Gjithsesi e vërteta e gjithë këtij skandali ndodhet në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Dako dyshohet se ka bashkëpunuar me grupe kriminale gjatë fushatës për blerjen e votës nga qytetarët, shtrëngimin e tyre me qëllim dhënien e kartave të identitetit. Por sipas të dhënave që dalin nga prokuroria, por jo në rrugë zyrtare, Dako mund të jetë përfshirë edhe në çështje të drogës.

Gazeta Panorama