AKTUALITET, 6 Mars 2018, 17:12

Koreja e Veriut gati të heqë dorë nga armët bërthamore në këmbim të…

Koreja e Veriut gati të heqë dorë nga armët bërthamore

Koreja e Veriut është e gatshme të ndalojë veprimtarinë e saj lidhur me armët bërthamore, që nga prodhimi e deri tek testimi i tyre, nëse tërhiqen kërcënimet ndaj vendit.

Ky është përfundimi i cilësuar si ‘historik’ i bisedimeve dy-ditore mes delegacionit të Koresë së Jugut dhe mikpritësve të Koresë së Veriut, në Penian.

Vetë lideri koreano-verior, Kim Jong Un ishte i pranishëm në bisedimet me zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare të Koresë së Jugut.

Rezultat tjetër i këtyre bisedimeve është takimi që pritet të ndodhë në prill mes Kim Jong-un dhe presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae In.

New York Times raporton se vendi komunist ka shprehur gatishmëri për të zhvilluar bisedime edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat vetëm dy muaj më parë i kërcënonte se do t’i zhdukte nga faqja e dheut.

Lajmi është komentuar pozitivisht edhe nga Presidenti amerikan, Donald Trump, në Twitter.

Katalizator i përmirësimit të marrëdhënieve mes dy Koreve ishin Lojërat Olimpike Dimërore. Shenja e parë se situata do të ç’tensionohej mes dy vendeve ishte marrëveshja që atletët të paraqiteshin në Lojërat Olimpike nën një flamur, siluetën blu të dy Koreve.