TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Agim Janina
Në sallën "Çehov" nê teatrin Metropol, një poster, punuar nga piktori Endri Beqo, njoftonte shfaqjen e rradhës: "Pas vdekjes", komedi nga A.Z.Çajupi.
Nuk është e lehtë të rimarrësh pas gati një shekulli e ta risjellësh në skenë dhe vështirësia rritet më shumë, kur grupi i aktorëve është i përbërë nga fëmijë. Por nuk është vetem kaq. Kur hapet sipari shikon, që personazhet kryesorë Adhamudhi dhe shërbëtori Zeneli luhen nga vajza. Atëhere ndërmarrja shkon në kufijtë e të pamundurës.
Dhe realisht është kështu !
Si mund të ndërmerret një gjë e tillë !? Ç'është kjo kokëkrisje në kufijtë e marrëzisë ?! Jo vetëm të guxosh të rivesh në skenë, një komedi, aq shumë të njohur, e për më tepër kthyer edhe në film dhe interpretuar mjeshtërisht nga ikona të filmit si Kadri Roshi e Pavlina Mani ?! Ç'është kjo forcë, që e ka mbërthyer e shtyrë regjizorin Anastas Nika në një kuturisje të tillë ? Forca e Artit një mister, që nuk do ta marrim vesh kurrë !
E gjithë vënija në skenë është e kuruar deri në detaje e hollësitë më të vogla; hedhja e hapave në skenë, ndërvreprimi plastik dhe harmonizimi j personazheve si një trupë e vetme në shfaqjen, sa më të mirë të vlerave të komedisë. Regjizori guxon dhe "ve dorë" mbi vetë tekstin dhe kjo është risi, duke risjellë problemin e interpretimit të veprave të së kaluarës.
Si duhet te sillemi ndaj tyre? Mesazhet, ngjyrat, emocionet, vlerat e një vepre tejkalojnë kohën kur janë shkruar dhe dihen përditësuar pë të ardhur në kohë. Kësaj regjizori ia del mbanë, duke futur në skenë vetë autorin Çajupin, si dhe duke shtuar në tekst disa batuta të kohës për ta afruar më shumë me kohën e sotme. Kjo është gjetje dhe kur ajo bëhet bukur, krijon vlerë.
Është një punë e gjatë, e mundimshme, e lodhshme, por kur sheh përfundimin i thua vetes: - ia vlejti !
Besojmë se këtë ka ndjerë regjizori kur shfaqja mbaroi dhe në skenë u ngjitën shumë spektatorë për ta përgëzuar dhe uruar...
Mos vallë ishtë një shfaqje kryevepër ? Jo ishte një rivenie e bukur, një punë pasionante, në përcjelljen e ndjenjës jetësore, të një prej dramaturgëve më të mirë shqiptarë, vepra e të cilit kalon përmasat e fshatit e krahinës dhe futet në thelbin e kohës kur jetoi,e del prej andej dhe hyn në mënyrë organike bukur,pa kërcitje në kohën tonë që ne jetojmë sot…
“Pas vdekjes” është një nga komeditë më të bukura shqiptare, dhe sigurisht një nga komeditë e cila është vënë pothuajse nga çdo trupë profesioniste apo dhe trupa amatore. Ajo që kishte mbetur në mendjen time nga këto vënie – thotë regjisori i shfaqjes Anastasi-ishte se të gjitha vëniet në skenë rrihnin ‘’në një vrimë’’ dhe ishin pothuajse si motra, përveç një vënie në Teatrin e Metropolit, që është sjellë në kohë nga regjisoria talentuar Najada Elmazi. Ose mund të jetë vendosur nga dikush tjetër , dhe unë ndoshta se kam parë… Asnjëra nuk i fliste kohës së vet, por thjesht bëhej humor me doktor Adhamudhin, kjo e realizuar nga zgjuarsia popullore që përfaqësohej nga Zeneli, e duke e vendosur Adhamudhin e Zenelin të fliste në një dialekt e gjuhë tashmë të lënë pas në kohe, dhe jo të futeshin thellë në botën, konceptet e secilit, dhe të përcillej halli i personazheve….E një ditë kur presidenti i Republikës nderoi Çajupin me titullin e lartë “Nderi Kombit’’ dhe ku isha dhe unë duke interpretuar vargje nga Çajupi në fshatin e tij të lindjes, në Sheper, mora një vendim se do të vendosja këtë komedi, në një dritë të re dhe me aktorë të rinj. E kjo ditë erdhi me këtë trupë të re simpatike, me të cilën për tetë muaj rresht do të punonim me pasion e përkushtim duke përshtatur tekstin me kohën që jetojmë, e mbi të gjitha duke i parë e zbërthyer personazhet si njerëz të ditëve tona.
Unë u njoha dhe më mirë me gjithë veprën e Çajupit, me gjithë komeditë e tjera, vjershat e poemat. Kjo do të bënte që në përshtatjen e tekstit të futen dhe thënie, emra personazhesh dhe vargje të ndryshme nga e gjithë krijimtaria e autorit. U përpoqa të zbuloj thelbin dhe zanafillën se kush u bë shkak që Çajupi ta shkruante këtë komedi. E pasi e zbulova, bëra që kjo të ishte filli i kësaj vënieje, pra Çajupi do të vinte për të mbaruar një mision të lënë përgjysëm, atë të dashurisë së Vurkos me Lulushen. Dhe tjetra për të deklaruar pas 100 vitesh se a mbaroi misioni i kësaj komedie, a duhej pranuar kërkesa e Adhamudhit për ta lënë të qetë nga tallja dhe rezilizmi , që dhe ai të prehet i qetë kur kanë kaluar 100 vite duke u bërë rezil.
E për këtë unë sjell Çajupin në skenën ku ai vetë do të realizojë këto dy gjëra, dhe tjetra të jetë dëshmitar i ndryshimit të gjuhës së shkruar prej tij, në një gjuhë bashkëkohore. Dhe vepra do të nisë me thënien e famshme nga komedia “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, ku vajzat në rolin e një kori hyjnë në skenë duke thënë “ Ç’do të thonë bota, po bota ç’do të thonë’’. Dhe vumë re që bota e pëlqeu këtë konceptim.
Çajupi ngrihet nga karrikja ( ku qëndronte ulur gjatë gjithë kohës si portret në hollin e redaksisë ku zhvillohen ngjarjet e komedisë) pasi komedia mbërrin atje ku ai e kishte përfunduar në vitin 1910, dhe fillon të bëjë ndryshimet .Nëpërmjet Zenelit realizon skenën e dashurisë së Vurkos dhe Lulushes, dhe me detaje të thjeshta jep që ata martohen (ku ai i bekon dhe vendos kurorën e martesës) dhe pas kësaj po me disa detaje të tjera domethënëse jepet ku ata lindin fëmijë, e paskësaj duke përdorur detaje të thjeshta por kuptimplote, jepet plakja e tyre, pra ndriçon dashurinë e përjetshme dhe ngre në piedestal familjen si një gjë të shenjtë.
Por para kësaj ai deklaron se Adhamudhi e të tjerë si ai do të bëhen rezil në jetë të jetëve…
“Është punuar shumë që të mos merreshim me anën e jashtme të karaktereve por të hynim në themel të tyre.-vijon regjisor Anastasi- kemi parë thellë psikologjinë e personazheve, lidhjet e ndërlidhjet e tyre, dritaret e vogla të shpirtit të tyre për tu futur e zbuluar gjëra të reja. Dhe ne kuptuam muzikën e shpirtit të tyre, dhe disa herë këtë e nxorrëm ta dëgjonin dhe të tjerët. Gjithashtu u pa në prizmin poetik, duke i’u kushtuar një rrëndësi të veçantë vargjeve të ndryshme poetike.
Unë gjithmonë përpiqem që shfaqja ime të jetë poetike, sepse mendoj se është gjuha më e bukur dhe më e lartë e rrëfimit. Nuk lejoj kurrë që personazhet e mi të përdorin fjalë pa vend, banale, vulgare, pa kuptim e vetëm për ku e di unë. Gjersa themi që teatri është jeta e hedhur në art, kuptohet që duhet bërë kështu dhë vetëm kështu, me një gjuhë letrare, të bukur e vepruese. I kushtova tërë energjinë lojës realiste, lojës së vërtetë, përjetimit e jo fjalës dialektore, por siç thashë më sipër, gjuhës së bukur letrare të kohës sonë, gjuhës së bukur të Çajupit.”
Një ide tjetër që nënvizohet që në fillim, me të hapet shfaqja, ishte edhe mos largimi nga Shqipëria, ku Vurkua i flet dikujt në telefon se ai nuk do vizë për tu larguar, se ka gjetur një punë këtu, e cila është bërja e shkrimve të vdekjes së bashku me Vurkon. Muzika kryesore përveç këngëve të ndryshme nga klasikja, rrepi, e polifonikja do të ishte tringëllima e parave brënda një kupeje metalike (kjo është muzika kryesore e çdo kohe), ku personazhet do të hidhnin monedhat (mexhitet) brenda saj. Kur ata kundërshtonin e nuk donin të jepnin mexhitet, atëherë Zeneli ulej në gjunjë si Hamleti i kohës tonë, me kupën përpara duarve dhe me thënien proverbiale “Të rroç a të mos rroç”. E kur personazhet i thoshin “Të rroç”, atëherë Zeneli i përgjigjej “ Që të rroç,hidhmë mexhiten.” (Monedha u ruajt në gjuhën e shkruar prej Çajupit)
Një mesazh tjetër i fuqishëm do të ishte dhe thirrja që bën Çajupi për lëvrimin me sukses të teatrit. “Teatri është instrumenti më shprehës, më i nevojshëm në ndërtimin e një vendi. Një teatër i vërtetë, për disa vjet mund ta transformojë ndjeshmërinë e popullit, ndërsa një teatër i degraduar, mund ta përgjumë e kalbë një popull të tërë…”
Nëse dote flisnim për lojën e aktorëve të rinj,do të thosha se ishin njëri më mirë se tjetri,dhe të gjithë unik në stilin e çfaqjes.
Aktorê të vegjël...?!... Jo, janë fëmijë që luajnë si aktorë të vërtetë. Ndjekim "lojën" e Adhamuthit "doktorit", të paditur që "vuan" mospërfilljen dhe aktoria Rosela Isufi e shpreh fryerjen groteske, duke dhënë një personazh të vërtetë. Ndërsa aktorja Emilia Karo në rolin e shërbëtorit Zenel,mban gjithë peshën dhe ecurinë e komedisë. E shkathët, e zgjuar lëviz lirshëm në gjëndje psikologjike, duke i dhënë frymë personazhit. Zonja Lulushe interpretuar nga aktorja Anromaqi Gurma del nga ndroja dhe shpërfaq gjithë brishtësinë, njomësinë dhe butësinë e personazhit me ndërtimin e një mimike lëvizëse. Vurko interpretuar nga Ledio Beqo hyn e del rrëmbyeshëm në skenë dhe krijon lidhjen e personazheve, sjell freskinë e intelektualit. Edhe pse një rol i vogël, aktori Elsi Hasanllari në rolin Çajupit serioz, e përkushtuar, qëndristar ( rri pothuajse gjithë kohën "i ngrirë" në karrige dhe ndjek zhvillimin e dramës duke "folur" pa lëvizur buzët, por me qëndrim. Edhe personazhi pa fjalë, i ulur në tavolinë, pranë një kompiuteri bëhet pjesë e gjallë e skenografisë.
Pra kjo vepër arriti të vinte në kohën tonë, në ditët që jetojmë, në hallet e problemet tona, me shumë finesë, pa kërcitje…E kam shumë të vështirë që të them të gjitha risitë e kësaj vënije, ato vetëm mund shihen e përjetohen duke u parë shfaqja.