AKTUALITET, 5 August 2026, 14:03

Berati ndër qarqet më të sigurta në vend, Hita: Niveli i ulët i kriminalitetit nuk do të ulë kontrollet e policisë

Berati është ndër qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend, por kjo nuk do të thotë se do të ketë më pak kontrolle apo angazhim nga Policia. Këtë e konfirmoi të mërkurën Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, gjatë inaugurimit të godinës së re të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Hita u shpreh se godina e re është një investim që, përveç përmirësimit të kushteve të punës për punonjësit e Policisë, do t'u ofrojë qytetarëve një shërbim më cilësor.

Sipas tij, ambientet moderne, të kombinuara me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të efektivëve, do të ndikojnë në rritjen e sigurisë si për banorët e qarkut, ashtu edhe për turistët që vizitojnë Beratin. “Ashtu si Drejtoria Vendore e Policisë Berat, edhe drejtoritë e tjera vendore punojnë çdo ditë për të garantuar sigurinë dhe për të përmirësuar parametrat e rendit publik në zonat që mbulojnë. Drejtoria Vendore e Policisë Berat, duke pasur një numër shumë të ulët të krimeve të rënda, renditet ndër drejtoritë me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se, për shkak të këtij niveli të ulët, ne do të ulim vëmendjen ndaj fenomeneve kriminale” -tha Hita. 

“Këto problematika do të jenë në fokus të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ashtu si edhe i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, me synim goditjen e çdo veprimtarie kriminale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët” tha Hita