BOTA, 5 August 2026, 15:02

BE akordon 1.4 miliardë euro për Ukrainën nga interesat e aseteve të ngrira ruse

Bashkimi Evropian do të përdorë 1.4 miliardë euro nga interesat e krijuara mbi asetet e ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën, bëri të ditur të martën Komisioni Evropian.

Fondet vijnë nga interesat mbi bilancet monetare që lidhen me asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, të cilat u ngrinë nga BE-ja pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se këto të ardhura do të përdoren për të ndihmuar Ukrainën në përballimin e pasojave të luftës. “Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin që ka shkaktuar. Ne po përdorim të ardhurat nga asetet e ngrira ruse për të siguruar që kjo të ndodhë”, tha von der Leyen. Sipas saj, fondet shtesë prej 1.4 miliardë eurosh do të shërbejnë për të forcuar rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus dhe për të mbështetur përpjekjet e saj gjatë luftës.

Vendimi është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të përdorur burimet financiare të lidhura me asetet ruse të ngrira si një mënyrë për të ndihmuar Ukrainën dhe për t’i kërkuar Moskës përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga konflikti.