Pas 20 vitesh qeveria rikthen ndërtimin mbi lumin Vjosë të hidrocentralit të Kalivaçit.
Vepra është menduar të ketë një kapacitet prej 110 megavat orë dhe do të kushtojë 125 milion euro.
Bashkimi i dy firmave “Ayen Enerji” dhe “Fusha shpk” , fituese të tenderit në Ministrinë e Energjisë dhe Transporteve, duhet të përfundojnë brenda 30 muajsh ndërtimin e HEC-it. Qeveria shqiptare prishi përpara 6 muajsh kontratën me kompaninë Hidro srl, e cila zotëronte aksionet e shoqërisë Kalivaçi Green Energy, në pronësi të Françesko Beketit dhe rihapi garën për dhënien me koncesion për 35 vjet të hidrocentralit.
Ayen Enerji dhe Fusha shpk arritën të fitonin garën mbi dy firmat e tjera pjesëmarrëse Doko dhe Gener 2. Fusha shpk, duket se është edhe një nga firmat më të preferuar të qeverisë por edhe të kryebashkiakut Erion Veliaj. Kjo pasi, Fusha shpk ka kryer një sërë punësh publike, mes tyre: Rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme si dhe Sheshin Skëndërbej në qendër të Tiranës, që u fitua pa asnjë konkurrent.
Fusha shpk është në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha, i cili është edhe i afërm i kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha.
Impakti mjedsior që ka ndërtimi i veprës mbi lumi Vjosë kushtëzoi edhe kriteret për përzgjedhjen e fituesit. Është vendosur që shoqëria që ka marrë koncesionin të ndërtojë një rrugë kalimi për peshqit me anë të një By-pass-i të posaçëm dhe të prekë sa më pak sipërfaqe që është e mundur.
Pas dhënies së kontratës për hidrocentralin e Poçemit, i cili nuk ka nisur punimet pasi është konstestuar nga banorët e zonës në gjykatë, ky është HEC-i i dytë me këtë madhësi që ndërtohet mbi lumin Vjosë. Organizata të shumta mjedisore shqiptare dhe të huaja kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve mbi këtë lumë./TPZ.AL/E.H/