AKTUALITET, 29 Tetor 2017, 11:07

“Shtëpia e Adelës”, ëndrra e parealizuar e gazetares

“Shtëpia e Adelës”, ëndrra e parealizuar e gazetares

Adela Xhamani, e cila u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në banesën e saj si pasojë e një ataku kardiak, nuk arriti të realizonte shumë nga ëndrrat dhe projektet e saj për jetën.

Ajo kishte ndërmarrë edhe një hap të ri profesional, teksa përgatitej të dilte në transmetim me programin e saj të titulluar “Shtëpia e Adelës”.

Gjithcka ishte programuar për në datën 15 Nëntor, në një nga televizionet e sapohapura në vend, por tashmë shtëpia e Adelës do të jetë bosh, si një dëshirë e prerë në mes.

Adelajda Xhamani është ndarë sot nga jeta në moshën 31-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak i ndodhur në banesën e saj.

Ndonëse është përpjekur t’i jepet ndihma e shpejtë, mësohet se mjekët e urgjencës e kanë gjetur pa jetë 31-vjeçaren, trupi i së cilës do të niset tashmë drejt Kavajës, në vendlindjen e saj për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Nuk dihet nëse Xhamani ka vuajtur më parë nga probleme me zemrën, apo gjithçka ka ardhur në mënyrë të papritur.

Adela sic e njihnin te gjithe, spikati në opinionin publik si një vajzë simpatike që tërhoqi vëmendjen pjesëmarrëse në reality show-n “Big Brother”, ku theu shumë tabu të lidhura veçanërisht me mentalitetin e zonës nga ajo vinte.

Më pas u përfshi në media dhe gazetari duke spikatur veçanërisht tek kronika rozë në shtypin e shkruar dhe në televizion.