TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pak orë pas furtunës mbi krerët e burgjeve në vend, ka nisur edhe komandimi i drejtuesve të rinj, të cilët do të mbajnë këtë detyrë derisa të shpallen fituesit që do t’i nënshtrohen konkurrimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko ka prezantuar në Burgun e Sigurisë së Lartë drejtorin e ri Arjan Hasani. Ky i fundit, një oficer karriere ka qënë më herët drejtor i Burgut të Fierit, por u shkarkua pasi një video qarkulloi në media sikur një i burgosur lante makinën e drejtorit Hasani.
Ministri i Drejtësisë, në atë kohë, Ylli Manjani kërkoi ndjesë për shkarkimin e Hasanit, duke thënë se kishte larguar nga detyra një nga drejtuesit më të aftë të sistemit të burgjeve. Largimi i Hasanajt nga burgu i Sigurisë së Lartë në Fier, ku ishin 700 të burgosur, i hapi rrugë LSI për të futur disa militantë nga radhët e saj.
Ndërkohë, në burgun e Drenovës, është vendosur përkohësisht, Petrit Koshaj, një tjetër oficer karriere, i cili mbante më përpara pozicionin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve dhe u shkarkua me urdhër të ministrit të drejtësisë, Petrit Vasili.
Edhe ndaj Koshajt, u ngrit një kurth, nga Drejtori i SHKB-së së Burgjeve, në atë kohë Ramazan Topuzi. Ky i fundit e akuzoi Koshajn, se i kishte dhënë leje Emiljano Shullazit për të shkuar në Spitalin e Burgut. Por ky pretendim ishte i pavërtetë, pasi lejen e jepte vetëm drejtori i Burgut përkatës, dhe jo Drejtori i Policisë së Burgjeve. Ndërkohë disa gazetarë të sponsorizuar nga interesa të ndryshme, tentuan që të implikonin Koshajn në skandalin e tenderave të ushqimit, e cila sërish nuk ishte kompetencë e Drejtorit të Policisë së Burgjeve.
Ndërkohë të tjerë që kanë marrë “timonin” e burgjeve tani, janë pjesë e sistemit penitenciar, si shefa personeli në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, apo shefa policie në burgje, si Agron Hysi apo Surja Malasi.
Komandimi i tyre do të zgjasë derisa të përfundojë dorëzimi i dosjeve të kandidatëve, që do të garojnë për burgjet, te një komision i posaçëm që pritet të ngrihet. Shkarkimin e 8 drejtorëve e njoftoi të shtunën ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila tha se të gjithë ata do të kallëzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, ndërkohë që dy ish-drejtues burgu rezultojnë me precedentë penalë.
Drejtorët e shkarkuar:
1. Drejtori i Burgut Peqin: Eugent Salla
2. Drejtori i Burgut Rrogozhinë: Afrim Zeqiraj
3. Drejtori i Burgut Lushnje: Gazmend Ibraliu
4. Drejtori i Burgut Lezhë: Gezim Gjeci
5. Drejtori i Burgut Berat: Ened Rrapo
6. Drejtori i Burgut Sarandë: Hajri Goxhaj
7. Drejtori i Burgut Durrës: Petrit Suci
8. Drejtori i Burgut Tepelenë: Marvin Muci.
Drejtorët e komanduar:
1. Drejtori i Burgut Peqin: Arjan Hasanaj
2. Drejtori i Burgut Rrogozhinë: Syrja Malasi
3. Drejtori i Burgut Lushnje: Zoj Rrushaj
4. Drejtori i Burgut Berat: Ermal Mile
5. Drejtori i Burgut Tepelenë: Etem Llapi
6. Drejtori i Burgut Vlorë: Aleksandër Rreza
7. Drejtore e Burgut të Grave: Jetmira Sula
8. Drejtori i Burgut Fushë Krujë: Agron Hysi
9. Drejtori i Burgut Drenovë: Petrit Koshaj
/TPZ.AL/