SPORT, 5 Mars 2018, 10:38

ITALI/ Ndeshjet e shtyra, Milan-Inter më 9 maj, të tjerat më 14 mars?

ITALI/ Ndeshjet e shtyra, Milan-Inter më 9 maj, të tjerat më 14

Ndeshjet e javës së 27-të të Serisë A dhe ato të javës së 28-të të Serisë B u shtynë pas vdekjes së kapitenit të Fiorentinës, Davide Astori.

Liga Italiane e Futbollit do të mblidhet nesër për të vendosur datat se kur do të zhvillohen këto takime.

Por, “rebus” mbetet derbi Milan-Inter, me kuqezinjtë që janë të angazhuar në Europa League dhe në finalen e Kupës së Italisë.

“Janë disa ide se kur mund të luhen këto takime”, shprehet anëtari i Ligës Italiane, Giovanni Malago.

Një mundësi është që derbi Milan-Inter të luhet më datë 9 maj, datë që përkon me finalen e Kupës së Italisë dhe kjo e fundit të shtyhet për në 20 maj.

Por, edhe këtu ka diçka për t’u diskutuar. Nëse Juventus do të shkojë në finale të Champions League (26 maj), atëhetë finalja e Kupës së Italisë kundër Milanit do të ishte vetëm 6 ditë para këtij eventi.

Për ndeshjet e tjera që janë shtyrë (Genoa-Cagliari, Chievo-Sassuolo, Udinese-Fiorentina, Benevento-Verona, Torino-Crotone dhe Atalanta-Sampdoria), situata është disi më pak komplekse.

Ato mund të zhvillohen më 14 mars, por jo në orarin e mbrëmjes, sepse luhet Champions League. Një alternativë tjetër për këto ndeshje është që të zhvillohen gjatë muajit prill, ndonjë ditë të mërkure, sigurisht jo në mbrëmje nëse përkon me ndeshjet e Champions League.