AKTUALITET, 13 Dhjetor 2017, 22:55

Ish prokurori Hajdari nuk harron sherrin me Llallën, lëshon akuza të forta ndaj tij

Ish prokurori Hajdari nuk harron sherrin me Llallën, lëshon akuza

Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari i ftuar në "Arena" nga Dritan Hila në Ora News, thotë se veprimtaria e Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme përfundoi me uzurpimin e Këshillit të Prokurorisë. Konflikti mes Hajdarit dhe kryeprokurorit Llalla është i hershëm, madje mes tyre thuhet se ka patur edhe një konfrontim fizik, gjatë konferencës së prokurorëve nga e gjithë Shqipëria. Rreth 150 prokurorë kanë qenë dëshmitarë të konfliktit Llalla- Hajdari, tek Hotel Tirana, ngjarje e ndodhur më 3 tetor 2014.

Asokohe, gjithçka nisi kur pas disktutimeve për emërimin e një prokurori në bordin e shkollës së magjistraturës, një grup prokurorësh kanë paraqitur një peticion që kërkonte shkarkimin e Shkëlqim Hajdarit si kryetar i shoqatës së prokurorëve. I menjëhershëm ishte reagimi i Hajdarit, i cili ka akuzuar kryeprokurorin Llalla se qëndronte pas këtij peticioni duke e ofenduar rëndë para vartësve të tij nga e gjithë Shqipëria. Në një moment, Adriatik Llalla është nervozuar dhe në gjaknxehtësi e sipër ka reaguar duke e goditur me grusht në fytyrë Shkëlqim Hajdarin. Veç të pranishmëve, ndërhynë edhe punonjës të gardës për të shmangur një acarim të mëtejshëm të situatës. Gjithçka është mbyllur këtu, bashkë edhe me konferencën që e ka ndërprerë vazhdimin e mbledhjes.

Ndërkohë sot, i ftuar në emisionin "Arena" në Ora News, dukej se ish prokurori Hajdari nuk e kishte harruar konfliktin me Llallën.

Pjesë nga biseda: 

Hajdari: Me Llallën kemi pasur një marrëdhënie pune pasi kemi punuar në prokurorinë e Tiranës por edhe marrëdhënie shoqërore. Z. Llalla nuk kishte predispozitën që organi i prokurorisë të ecte në atë rrugë që prokurorëve t'u rriteshin sa më shumë garancitë dhe si pasojë e lobimit të fortë të Shoqatës së Prokurorëve siguruam edhe dy ndryshime të rëndësishme ligjore. E para, çdo prokuror që shkarkohej me dekret nuk kishte të drejtën e ankimimit.

Hila: E bëri Llalla detyrën e tij?

Hajdari: Z. Llalla që ditën e parë në masën më të madhe që ka bërë ka përzgjedhur me kujdes Këshillin e Prokurorisë. E uzurpoi plotësisht dhe përfunduan në vegla që mbështesnin njëri-tjetrin dhe kjo është një histori e provojmë me prova.

Hila: Dështoi ai me krimin e organizuar?

Hajdari: Ka dështuar sistemi i centralizuar i prokurorisë dhe z. Llalla nuk është përgjegjës për atë sistem. Mendoj se reforma është një hap shumë pozitiv. Llalla nuk mund të rrijë në krye as një sekondë më tepër, pasi nuk ka dhënë asnjëherë siguri e indicie se di të bëjë punën. Po të rrijë do të bëjë transformime spektakolare. Unë ju garantoj një gjë, më mirë se Adriatik Llalla, do të jetë kushdo nga ata të shtatë. A janë ato më të mirët? Jo, kurrë, ka edhe të tjerë që i ka penalizuar mënyra se si zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=62&v=rPERdm-Pluw