AKTUALITET, 13 Dhjetor 2017, 20:19

Top Channel publikon provat: Ja si është falsifikuar dokumenti i pafajësisë së Tahirit

Top Channel publikon provat: Ja si është falsifikuar dokumenti i

Krahasimi i dy dokumentave atij që Saimir Tahiri paraqiti nga selia e kuvendit të Shqipërisë për të provuar se nuk po hetohet në Itali, me dokumentin që ka arritur të sigurojë Top Channel hedh hije të forta dyshimi. Duke i parë të dy me lupë specialist dhe avokatë italianë kanë vëzhguar ndryshime esenciale. Sepse sipas tyre dokumenti i paraqitur nga Tahiri nuk ka një barkod të skanueshëm, nuk ka logon e prokurorisë së Katanias, nuk ka stemën e republikës italiane që është në çdo document zyrtar të këtij shteti. Ai vërtet ka një firmë, por nuk ka emrin e personit të sekretarisë që e ka lëshuar këtë dokument.

Për të gjitha këto arsye dushohet se dokumenti i servirur nga saimir tahiri është i manipuluar. Ja se si e ka komentuar avokati Italian Gofrredo D’Antona dokumentin e tahirit të krahasuar me një dokument original.

“Dokument të tillë nuk kam parë kurrë. Jo vetëm që nuk kam parë, por nuk janë të tillë dhe mund ta shohim. Është e dukshme! mungojnë një sërë gjërash. Së pari nuk është logo e Republikës së Italisë, që duhet të jetë në çdo akt zyrtar italian. Nuk është barkodi, që është një kod që shërben për të identifikuar aktin dhe cili e ka lëshuar këtë akt. Ka një numër protokolli dhe mbi të gjitha, këtu thuhet: Nuk rezultojnë regjistrime. Duket sikur dikush e ka parë këtë dhe e ka shkruar në mënyrë pak të shpejtë, sepse ligji italian nuk thotë nëse ka apo jo regjistrime, por thotë: Nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Por e përsëris, ka një dallueshmëri objektive. Mjafton që të shikoni, ky është origjinali ky është dokumenti që më keni treguar. Janë te papërputhshëm! Jo të ndryshëm, të papërputhshëm. Ky është një dokument fals. Domethënë, nuk mund ta them që është fals, është një krim i rëndë “falsifikimi i akteve publike”. Është një nga krimet më të rënda të parashikuara në kodin tonë penal”, tha avokati, Gofrredo D’Antona.