AKTUALITET, 30 Tetor 2017, 17:47

"Furtunë" në arsim/ Rama: 300 drejtorë shkollash do të zëvendësohen

"Furtunë" në arsim/ Rama: 300 drejtorë shkollash do

Kryeministri Edi Rama, paralajmëroi shkarkime masive në arsimin parauniversitar. Duke folur në një takim me mësues, Rama shfaqi rezerva të forta ndaj Drejtorëve të shkollave të fillore dhe të mesme, duke thënë se ata janë militantë dhe jo profesionist.

Por kryeministri Rama, po tenton t'i hedhë hi syve të shqiptarëve, duke ngritur aludimin se faji ka qënë i LSI, ndërkohë që Ministria e Arsimit drejtohet prej më shumë se 4 vitesh nga deputetja socialiste, Lindita Nikolla.

Në fakt ky fjalim, i shërbeu kryeministrit që të prezantojë aksionin për shkarkimin e 300 drejtorëve, të cilët ai i quan ngelës, të paaftë dhe militantë.

"Ne kemi drejtues shkolle që janë aksident politik aty. 300 drejtorë shkollash kanë rezultuar nën nivelin mesatar mes tyre. Jam i bindur se shumica e drejtuesve të shkollave, duhet të futen në një proces trajnimi. Edhe procesi i përzgjedhjes së drejtorëve ka qënë i kapur nga segmente të politikës.:- u shpreh Rama.

Por si do të hiqen nga puna këta 300 drejtorë. Kryeministri Rama prezantoi edhe mekanizmin.

"Ne do të themelojmë Shkollën e Drejtorëve, ku ata do të trajnohen dhe testohen në mënyrë të vazhdueshme. Do tu jepet mundësia mësuesve që të bëhen drejtorë. 300 drejtorëve që kanë dalë keq do të largohen dhe do tu jepet mundësia mësuesve që të bëhen drejtorë"- shtoi kryeministri i vendit.

/TPZ.AL/