TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Institucionet ligjzbatuese në vend, duket se janë futur në një rreth vicioz, nga i cili Prokuroria e Përgjithshme premton se do të hulumtojë për të zbardhur të vërtetën. Një ditë më parë Ministria e Drejtësisë dha “OK” për ekstradimin e Nezar Seitit, i cili hetohej edhe nga Prokuroria e Catanias, por edhe nga ajo e Krimeve të Rënda. Dy janë institucionet që kanë vepruar në këtë rast, Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë.
Ato duket se nuk janë marrë vesh me njëra-tjetrën, madje nuk kanë pasur dijeni se për Seitin ekzistonte edhe një hetim i nisur nga Krimet e Rënda, si njeriu që mbante financat e grupit Habilaj, madje kishte lidhje edhe me çështjen Tahiri.
Sot në mesditë, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mediat me një fjali të vetme: “Në përgjigje të rastit “Seiti”, do të nisin verifikimet”.
Kjo përgjigje erdhi pasi më parë mediat e kishin publikuar lajmin për nisjen e verifikimeve të të gjitha institucioneve të përfshira në këtë “skandal”.
Një ditë më parë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se nuk kishte pasur dijeni se për Seitin kishin nisur hetimet edhe nga Krimet e Rënda.
Ndërkohë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, deklaroi se kërkesa për ekstradim i kishte vajtur nga Ministra e Drejtësisë dhe se ai nuk ishte në dijeni të veprimeve të tjera që kryheshin nga drejtësia për Nezar Seitin.
Kundër ekstradimit doli edhe avokati i të shumëpërfolurit, Detar Hysi. Sipas këtij të fundit në rastin në fjalë është shkelur mbi vendimin e gjykatës.
Aktualisht për dosjen “Tahiri” nuk ka asnjë person në qelitë tona të burgjeve. Ata do të hetohen dhe gjykohen në Itali, ndërkohë që Tahiri i cili akuzohet për përfshirje në trafikun e drogës me grupin Habilaj, vazhdon te hetohet në gjendje të lirë./TPZ.AL