AKTUALITET, 12 Tetor 2019, 10:00

Dyshohet për vrasjen e Santiago Malkos, jepet masa për Elvis Gaçajn, ‘gabelin’ e bandës “Duka”


Gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg për Elvis Gaçaj, i cili u arrestua tre ditë më parë në zonën e Durrësit, si i dyshuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Ndërkohë që Gjykata ka vendosur që të lërë të lirë personin që ishte me Gaçajn në momentin e arrestimit Klajdi Driza.

Gaçaj i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë, u arrestua për armëmbajtje pa leje, ndërsa më herët kishte qenë nën masën e arrestit të shtëpisë.

Gacaj ka qenë i arrestuar edhe në datën 8 prill të këtij viti për tentativë për vrasje, së bashku me Leonard Dukën, dhe më pas u liruan nga Gjykata.

Arrestimi i Gaçajt është bërë në lagjen numër 3 të qytetit të Durrësit, ndërsa ka qenë i skeduar dhe më herët për trafik droge.

Gaçaj iu ka shpëtuar tre atentateve, ndërsa dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.

Gaçaj, në 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek “Lulishte 1 Maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos. Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.

Në atentatin tek Lulishte “1 Maji” u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova.

Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura. Për këtë atentat, në muajin tetor të vitit 2016, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg.