AKTUALITET, 12 Janar 2018, 14:53

Donald Lu deklaratë të fortë: Po ndjek me vëmendje hetimet për Tahirin, kemi ofruar asistencën e FBI

Donald Lu deklaratë të fortë: Po ndjek me vëmendje hetimet

Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, ka bërë një deklaratë të fortë, pas takimit që zgjati rreth një orë e 30 minuta me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Balkanweb ka pyetur nëse janë diskutuar në këtë takim çështje të korrupsionit të nivelit të lartë, siç është ajo e Saimir Tahirit, Lu ka komentuar se SHBA-të kanë ofruar mbështetjen e tyre me prokurorë federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori Lu, gjatë takimit tuaj me Ministrin Xhafaj, a biseduat çështje korrupsioni të nivelit të lartë, si ajo e Saimir Tahirit?

Ambasadori Lu: Çështja e Z.Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor. Ashtu si vetë Z. Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, kjo çështje duhet zgjidhur në gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës. Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës. Ne do donim të shihnim një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore, dhe e kemi përcjellë këtë mesazh. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin.