AKTUALITET, 12 Janar 2018, 12:43

Futja e biznesit të vogël në TVSH nxit informalitetin

Një anketë e Këshillit të Investimeve konkludon se ulja e pragut të TVSH-së, mund të rrisë më tej informalitetin në ekonomi. Sipas anketës, vetë bizneset e konsiderojnë pragun e TVSH-së si një nga faktorët kryesorë që nxit informalitetin dhe evazionin fiskale.

"Pragu i tatim fitimit dhe TVSH, marrëdhënia me administratën dhe zbatueshmëria e ligjit, mbeten faktorët kryesore që influencojnë informalitetin,- vëren anketa e Këshillit të Investimeve.

Nga 1 janari i këtij viti, pragu i pagesës së tvsh u ul duke përfshirë të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit nga 5 milionë lekë që ishte më parë. Kjo sipas vetë bizneseve të përgjigjura në anketë, përveçse do të dëmtojë biznesin e vogël mund të rrisë më tej presionin për informalitet.

Image

Informaliteti

Konkurrenca e pandershme që vjen nga informaliteti konsiderohet si një nga pengesat kryesore nga sipërmarrjet e ndershme për të bërë biznes në Shqipëri.

"Një pjesë e mirë e të përgjigjurve (69%) shprehen se ndeshen me një formë apo tjetër të informalitetit në fushën e aktivitetit të tyre," raporton Këshilli i Investimeve.

Sipas raportit, natyra e shfaqjes së informalitetit është e ndryshme, por rastet më të shpeshta janë evazioni fiskal për shkak të korrupsionit dhe kontrabandës, puna në të zezë, moslëshimi i kuponit tatimor, etj.

Edhe pse ka një përmirësim të perceptimit për informalitetin që vjen nga “mosrregjistrimi” i biznesit, sërish ndërmarrjet raportojnë problematike punën në të zezë.

"Puna në të zezë vazhdon të jetë sërish problem dhe pothuajse në të njëjtin nivel perceptimi si në përgjigjet në vrojtimin e Sekretariatit në vitin 2015," thuhet në anketë.

Në këto dy vjet qeveria ka zhvilluar 3 aksione kundër informalitetit, por sipas biznesit, situata vijon të mbetet problematike, ndërkohë që një shqetësim i ri i bizneseve sipas Këshillit të Investimeve, është informaliteti në sektorin e turizmit, veçanërisht për guidat dhe agjencitë turistike.